Flota amerikane fishek paralajmërues anijes iraniane

Një shkatërrues (destroyer) i flotës ushtarake amerikane në lëvizje në Gjirin Persik ka gjuajtur fishek paralajmërues ndaj një anijeje të Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Flotës së Pestë të Forcave Detare të SHBA-ve që gjendet në Bahrejn, toger Ian McConnaughey, ka deklaruar se shkatërruesi USS Mahan ditën e hënë ka larguar me fishek paralajmërues anijen e Gardës Revolucionare të Iranit që ishte afruar pranë gjatë aktiviteteve të zbulimit.

“USS Mahan fillimisht është përpjekur të kontaktojë përmes rrugëve të radiokomunikimit me anijen, ndërsa më pas ka paralajmëruar me pesë fishkëllima të shkurtra. Më pas, është bërë paralajmërimi për rrezik sipas navigacionit ndërkombëtar dhe më në fund është gjuajtur fishek paralajmërues për ta kuptuar qëllimin e anijes”, ka thënë McConnaughey.

Theksohet se anija iraniane gjatë incidentit është afruar rreth një mijë metra në afërsi të shkatërruesit USS Mahan, ndërsa pas paralajmërimit është larguar dhe ka lëvizur në kah të kundërt.

Ndërkaq, zyrtarët iranianë nuk kanë dhënë deklaratë në lidhje me këtë zhvillim.

Ndryshe, anijet luftarake të SHBA-ve dhe Iranit shpeshherë takohen në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit, ku realizohet një e treta e transportit të naftës përmes rrugëve ujore.

Irani e cilëson si “provokim” praninë e SHBA-ve në rajon dhe kohë pas kohe “ngacmon” anijet amerikane duke hedhur predha dhe raketa në afërsi.

Po ashtu, thuhet se këto provokime janë shtuar pas marrëveshjes bërthamore të cilën Irani e ka arritur me fuqitë botërore.

Sipas flotës ushtarake amerikane, në vitin 2015 kanë ndodhur 25 “konfrontime” me iranianët që cilësohen si “të rrezikshme dhe në kundërshtim me profesionalizmin”, kurse pas marrëveshjes bëthamore, konkretisht në vitin 2016, kanë ndodhur 35 konfrontime të tilla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button