Selmani: Më shumë ligje për media do të thotë më pak liri për mediat

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Naser Selmani, në konferencën e përbashkët me Sekretarin e përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Rodriguez, të mbajtur në Klubin e Deputetëve në Shkup, deklaroi se “partitë politike në Maqedoni ditëve të fundit ushtrojnë trysni për rregullimin me ligj të punës së portaleve dhe rregullimit të prodhimit mediatik”, raporton Anadolu Agency (AA).

Dukuritë negative në media, të tilla si gjuha e urrejtjes, Selmani tha se nuk janë rezultat i mungesës së ligjeve, por janë rezultat i refuzimit të institucioneve t’i zbatojnë ligjet. Sipas tij, Maqedonia është e fundit në lirinë e mediave për shkak se gazetarët kontrollohen nga shumë anë, e jo se portalet dhe prodhimi mediatik nuk janë të rregulluara me ligj.

Selmani njoftoi se në Kuvendin vjetor të SHGM-së të mbajtur të shtunën e kaluar, është miratuar “deklarata lidhur me gjendjen e vështirë të mediave në Maqedoni”.

“Kuvendi i SHGM-së qartë u përcaktua kundër rregullimit me ligj të punës së portaleve dhe prodhimit mediatik, sepse jemi të bindur fortë se me ligje të rrepta nuk do t’i çlirojmë mediat nga kontrolli i shtetit. Për ne nuk ka dilemë, më shumë ligje do të thotë më pak liri për mediat”, deklaroi Selmani.

Selmani shtoi se numri i sulmeve ndaj gazetarëve në Maqedoni është rritur vitin e fundit. Ai bëri të ditur se gjysma e 45 sulmeve të regjistruara në katër vitet e fundit kanë ndodhur në vitin 2016, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të vitit 2017 ka pasur pesë sulme të reja.

Sipas SHGM-së, Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Rodriguez, ndodhet në Maqedoni që në emër të gazetarëve evropianë të dënojë eskalimin e dhunës kundër gazetarëve në Maqedoni dhe të kërkojë nga autoritetet e Maqedonisë të ndërpresin praktikat e tolerimit të dhunës ndaj gazetarëve.

Rodriguez tha se viteve të fundit gazetarët në Maqedoni jo që përballen vetëm me kërcënime, por përballen edhe me dënime me burg. Sipas tij, Maqedonia është një nga pesë shtetet e Evropës ku gazetarët janë përballur edhe me dënime me burg.

Ai duke theksuar se rregullimi me ligj i punës së portaleve dhe prodhimit mediak paraqet rrezik për lirinë e shprehjes në Maqedoni, shtoi se: “Sipas mendimit tonë, përmbajtja e mediave në Maqedoni tashmë është e rregulluar me ligj. Në këtë vend nuk kemi nevojë për ligje të reja në rregullimin e mediave. Ne mendojmë se rregullimi i mediave në këtë vend do të na çojë kundër standardeve evropiane”.

Ndryshe, Federata Evropiane e Gazetarëve është një nga organizatat kryesore të gazetarëve në Evropë, e cila globalisht përfaqëson 300 mijë gazetarë nga 43 vende të ndryshme dhe nga 70 shoqata të gazetarëve, përfshirë edhe dy shoqatat e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button