Women 20 Summit, thirrje që të themelohet një fond për gratë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Berlin, në “Women 20 Summit”, samitin e grave në kuadër të G20, që këtë vit e kryeson Gjermania, bëri thirrje për formimin e fondit, me të cilin vendet e zhvilluara si Gjermania, SHBA, Kanada dhe Holanda, do t’iu ofronin ndihmë materiale grave në vendet në zhvillim , raporton Anadolu Agency (AA).

“Fondi, i cili, për shembull, do të mbështetej nga vende si Gjermania, SHBA, Kanadaja apo Holanda, që do të menaxhohet nga Banka Botërore dhe ai sipas nevojës do të plotësohet”, tha Merkel gjatë fjalimit në panelin me temën e fuqizimit të rolit të gruas në botën e biznesit.

Ajo shtoi se gratë mund të jenë shumë më aktive në botën e biznesit, duke shtuar se prandaj duhet të mbështeten gratë me fonde kreditore, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Sipas saj, 50 për qind e grave në mbarë botën janë të punësuara, ndërsa kjo përqindje te meshkujt është rreth 76 për qind, duke shtuar se në periudhën e ardhshme duhet hequr dallimi ekzistues.

Në takimin dyditorë marrin pjesë mbi 100 krerë dhe personalitete, në mesin e të cilëve janë edhe drejtoresha e FMN-së Christine Lagard, mbretëresha e Holandës Maxima si dhe Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e presidentit amerikan Donald Trump.

Vajza e Donald Trumpit gjatë diskutimit në panel qëndroi në mbrojtje të babait të saj, të cilin më herët qarqe të caktuara e kishin akuzuar për nënvlerësim të grave. “Presidenti i SHBA-së është thellësisht i bindur se gratë kanë potencial dhe njohuri që gratë të kryejnë detyrat sikurse edhe burrat”, tha Trump në pyetjen se si do t’iu përgjigjet akuzave ndaj babait të saj.

Ajo shtoi se shumë gra të cilat, siç tha, për dekada të tëra kanë punuar në kompanitë e babait të saj mund të verifikojë pohimet e saj.

Ajo tha se babai i saj mbështet fuqimisht idenë e forcimit të pozitës së gruas, por edhe të familjes.

Mbretëresha holandeze Maxima ka theksuar se edhe në vendin e saj nuk është i mjaftueshëm numri i grave në pozicione drejtuese, duke shtuar se duhet që në kompanitë të sigurohet mjedis shumë më i mirë ashtu që të forcohet pozita e grave.

Lagarde tha se është e nevojshme për të siguruar kushtet, ashtu që gratë shumë më lehtë të arrijnë deri te burimet financiare, duke shtuar se është e rëndësishme që të mbështesim gratë në botën e biznesit.

Ajo theksoi se gratë mund të kontribuojnë në progresin ekonomik, ku do të rritej edhe numri i të punësuarve në botë. “Gratë nuk duhet të shihen si kërcënim. Nëse u jepet mundësia ato mund të bëjnë ndryshime të mëdha”, ka thënë Lagarde.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button