Protestat në Venezuelë, rritet në 23 numri i të vdekurve

Protestat antiqeveritare në Venezuelë kanë hyrë në javën e katërt, ndërkohë që numri i personave që kanë humbur jetën në protesta është rritur në 23, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati i Popullit Tarek Saab tha se dy persona të tjerë e kanë humbur jetën në protestat pro dhe antiqeveritare në qytetet Merida dhe Barinas, duke shtuar se numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e protestave është rritur në 23.

Saab po ashtu ka bërë të ditur se vazhdon rreziku për jetë i shumë personave që janë plagosur gjatë protestave.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës dhe guvernatori i shtetit Merida, Henrique Capriles, në një deklaratë në median sociale ka fajësuar grupet paramilitare për vdekjet e ndodhura.

Ditën e djeshme, qindra persona që protestuan kundër qeverisë së kryesuar nga presidenti Nicolas Maduro, bllokuan shumë rrugë kryesore të kryeqytetit Karakas duke protestuar ulur.

Opozita në vend ka bërë thirrje për zgjedhje të menjëhershme të përgjithshme, duke e refuzuar thirrjen e Maduros për “vazhdimin e dialogut të ndërprerë në muajin dhjetor”.

Zhvillimet në Venezuelë vijnë pasi Gjykata e Lartë e Venezuelës, përmes një vendimi më 31 mars, mori përsipër kompetencat e Kongresit, me arsyetimin se nuk ka respektuar vendimet e mëparshme të gjykatës.

Megjithatë, pas reagimeve, gjykata më 1 prill deklaroi se ka tërhequr vendimin, por qytetarët kanë vazhduar protestat duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Gjykata po ashtu ndëshkoi liderin opozitar Henrique Capriles me mospjesëmarrje pjesë në zgjedhjet presidenciale për 15 vite.

Opozita ka theksuar se vendimet e Gjykatës së Lartë në lidhje me kongresin dhe Capriles çojnë vendin drejt një rruge diktatoriale pa kthim, ndërkohë që qytetarët në kryeqytetin Karakas kishin vërshuar nëpër rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button