Ahmeti: Nuk pranojmë ndarjen, ky vend duhet të jetë i të gjithëve

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në takimin e sontëm me banorët e Zhelinës theksoi se ndihet krenar që aplei i tij për presindetin konsensual u kuptua dhe u vlerësua drejt nga shqiptarët.
Ahmeti tha gjithashtu se, ai dhe ekipi i tij janë të sigurtë që gjatë 4 viteve të ardhshme në qeveri do të realizojnë konceptin për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, sepse, siç u shpreh, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër.

Ai ritheksoi se ky është një mandat kur duhet të shkrihen akujt mes dy komuniteteve më të mëdha dhe se këtë guxim duhet ta marrë elita politike maqedonase, ngaqë “BDI-së ky guxim asnjëherë nuk i ka munguar”.

“Evropa ka filluar si një ëndërr, vazhdoi si një ortek dhe sot për ne është një ideal, dhe ky ideal është i njerëzve që duan të jetojnë të lirë, në demokraci të mirëfilltë. Ne nuk jemi kundër askujt, ne me transparencën më të madhe paraqesim idetë tona të cilat nuk dalin dhe burojnë nga njerëz të papërgatitur apo prej skenarëve të nëntokës. Ne komunikojmë, dhe idetë i kristalizojmë dhe ia paraqesim palës tjetër. Ne nuk defilojmë pas shpinës për idenë e presidentit konsensual. Ne nuk dëshpërohemi dhe nuk ngrehim flamurin e bardhë. Ne do të ecim përpara deri në realizimin e idesë sonë, ide kjo që u përqafua nga pjesa dërmuese e shqiptarëve”, tha Ahmeti.

Ai u shpreh se, megjithatë, është i përgjegjshëm dhe i mirëkupton elitat politike që nuk kanë pjekurinë e BDI-së, për të dhënë ide progresive.

“Ne jemi në këtë shtet, por duhet pranuar se jetojmë në dy shoqëri të ndara. Neve si BDI kjo ndarje na pengon. Ne duam që ky vend të jetë i gjithëve dhe me këtë duam që të gjithë të mbajnë përgjegjësi për proceset. A besojmë ne që një ditë do të realizohet kjo ide? Po, të jeni të sigurtë pasi ajo është ide që të avancon dhe jo që të kthen pas. Dialogu dhe komunikimi është shtylla e demokracisë për të funksionuar një shtet i mirëfilltë. Ne jemi të dialogut dhe të kompromisit e të pajtimit. Nuk e di pse frikësohen nga ne”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së pohoi se, vota për BDI-në do t’u sigurojë shqiptarëve ndikim më të madh dhe më të fuqishëm në qeverinë e ardhshme.

“Pse duhet të votohet BDI-ja? Ka edhe parti të tjera në garë, por rrallëkush na arrin ne. Ne kemi triumfuar në filozofi, në koncepte dhe opsione pasi kanë qenë filozofi dhe jo hile dhe djallëzi. Duhet përkrahur BDI-ja pasi ka treguar guxim kur është dashur të tregohet. Kur është dashur diplomacia ka demonstruar diplomacinë. Ne ndodhemi në një situatë shumë të rëndësishme, përpara momenteve për vendime të mëdha, të gjitha proceset për afrimin të vlerave të afrimit drejt strukturave euro-atlantike me vendosmëri më të madhe kanë përparuar. Këto vlera duhet të finalizohen, materializohen… Ne nuk mund të qëndrojmë më si vrima e zezë e Balkanit, ne duhet të rreshtohemi pranë NATO-së dhe BE-së. Ne duhet të vendosim raporte të mira me të gjithë fqinjët. Ne duam që vendi ynë të ecë përpara, në paqe, stabilitet dhe siguri”, tha Ahmeti.

Ai ritheksoi rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura që ka Maqedonia brenda dhe jashtë, ndërsa siguroi të pranishmit se nuk do të zhgënjehen me deputetët e ardhshëm të BDI-së.

“Ka ardhur koha tani që ne të punojmë edhe për cilësi, pasi ajo krijon dhe materializon shumë ide. Pikërisht këto janë problemet që ne përkushtohemi, për një arsim më cilësor, për një shëndetësi të mirë, për spitale, për universitete dhe hapësira shkollore konform standardeve evropiane. Nuk mund të ecim përpara, duhet pajtuar me të gjitha vendet fqinje, duhet pasur raporte të mira me të gjithë pasi kështu mund të arrihen vlerat që ka Evropa. Luftërat e përgjakshme mes Gjermanisë dhe Francës u tejkaluan dhe neve na duhen këto vlera. Nuk ka alternativa të tjera përveç NATO-së dhe BE-së, pasi aty është ardhmëria jonë”, theksoi kreu i BDI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button