Zv/ministri turk i Punëve të Jashtme vizitë në Maqedoni

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, ambasadori Ahmet Yıldız gjatë vizitës së tij zyrtare sot në Shkup është takuar me zv/ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Ilija Isajlovski dhe ministrin pa resor të Maqedonisë Bejxhan Iljas.

Duke folur pas takimit me ministrin pa resor Iljas në një deklaratë për gazetarët në lidhje me takimet e tij, Yıldız tha se po viziton për herë të parë Maqedoninë dhe rikujtoi se para vizitës në Maqedoni ka zhvilluar vizitë dyditore në Kosovë me rastin e 23 Prillit, Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë.

Ai theksoi se gjatë vizitës njëditore do të ketë rastin ta njohë vendin, duke shtuar se në takimin me homologun e tij nga Maqedonia, Isajlovski kanë biseduar në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe. Yıldız po ashtu njoftoi se është takuar edhe me përfaqësues të tjerë të komunitetit turk në vend.

“Politika e Turqisë në këtë rajon është stabiliteti, paqja dhe mirëqenia e shteteve të këtij rajoni, por, me qëllimin përfundimtar, integrimin e këtij rajoni në strukturat euroatlantike, pra në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE). BE-ja është edhe synim i ynë dhe shpresojmë që një ditë të jemi së bashku në unionin e njëjtë”, vazhdoi Yıldız.

Ai tha se Maqedonia dhe shtetet e tjera të rajonit kohë pas kohe ballafaqohen me probleme në politikën e brendshme dhe të jashtme. Yıldız tha se “Ne shpresojmë dhe shohim që këto do të zgjidhen përmes dialogut”.

Nga ana tjetër, ministri pa resor i Maqedonisë Bejxhan Iljas ka falënderuar zv/ministrin turk Yıldız për vizitën, duke thënë se gjatë takimit kanë diskutuar në lidhje me zhvillimet politike në Maqedoni dhe anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.

Iljas po ashtu njoftoi se gjatë takimit kanë bërë vlerësime edhe mbi gjendjen e komunitetit turk në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button