(Video) Përleshjet në Radishan në ditën e votimit

Pronarët e shtëpive në Radishani, thonë se ministrja Jankullovska, gënjen kur thotë se incidenti në Radishani në ditën e votimit , ka filluar për shkak të komunikacionit.

Dëshmitari i rastit pohon se incidenti ka filluar kur disa maqedonas të rinj në një kafene në Radishan të dielën në mbrëmje po festonin fitoren në zgjedhje.

“Filluan të bërtasin “shiptari”, pse nuk dolët në votime dhe filluan të shajnë pronarin e shtëpisë, i cili është shqiptar”, shprehet ai. Pronari i shtëpisë, është tërhequr në oborrin, por kanë ardhur edhe disa dhjetëra djem, të cilët kanë filluar të gjuajnë shishe drejt shtëpisë dhe të shajnë. Më pas, kanë hyrë në oborrin, kanë filluar ta rrahin, pas çka është shkaktuar kaos, dëshmon njëri nga të sulmuarit. Sipas tij, njëri nga sulmuesit është nisur që t’i shkelë me makinë, me ç’rast më së shumti ka pësuar një grua  e moshuar, bashkëshorte e pronarit të shtëpisë.

Në stacionin policor Butel atë natë ai ka dëgjuar se si një polic u thotë djemve  “mos tregoni se ju keni sulmuar të parët”. 

“Neve deshën të na arrestojnë, por ua sollëm incizimin dhe na liruan. Kjo nuk po ndodh për herë të parë, por kësaj radhe ishte më tmerrshëm dhe kjo nuk shpie nga e mira”, shprehet ai.

Pas raportimeve të këtilla të mediave, reagoi MPB-ja me kumtesë në të cilën thotë: 
“Lidhur me shkrimin e disa portaleve të caktuara rreth rastit të Radishanit dhe ndërlidhjes së tij me procesin zgjedhor, MPB-ja dëshiron të përkujtojë se nuk ka regjistruar, as nuk ka lajmërime për çfarëdo parregullsish në vendvotimet në lokalitetin e përmendur që do të ndikonin në votimin. Personat e përfshirë në këtë rast janë identifikuar, ndërsa është gjetur edhe personi që ka drejtuar makinën dhe në konsultim me Prokurorin, kundër tij do të procedohet kallëzim për vepër  penale – “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Për të gjithë të tjerët, për të cilët prokurori publik do të përcaktojë përgjegjësi të mëtejshme do të vijojnë parashtresa përkatëse”, shprehen nga MPB-ja.

Lajme të ngjashme

Back to top button