Në fund përherë fitojnë demokracia dhe kapitalizmi

Sfida nga regjimet autoritare si Kina e Rusia nuk janë asgjë e re për demokracinë. Ajo do t’i mposhtë ashtu siç ka mposhtur më parë nacizmin dhe komunizmin

 Beteja e madhe e ideologjive. Duke nisur nga Revolucioni Francez deri në fund të Luftës së Parë Botërore, gjatë atij që quhet Shekulli i Gjatë, nën presionin e forcave të reja shoqërore e politike që i çliroi revolucioni industrial, u shembën njëri pas tjetrit sistemet e vjetra feudale të monarkive absolute. Ndërkohë po zhvillohej beteja e një varg ideologjish konkurente që pretendonin të jenë e ardhmja e njerëzimit, të tilla si fashizmi, nacizmi, nacionalizmi, komunizmi, socializmi dhe demokracia liberale e shoqëruar me kapitalizëm. Historia e shekullit të 20-të është betejë e vërtetë e këtyre ideologjive, që do të ndesheshin në vende dhe forma të ndryshme thuajse njëqind vite me rradhë. Në fund të shekullit në këmbë qëndronte një fitues i vetëm: demokracia liberale me kapitalizëm. Por sot ai po ndeshet me konkurencë të re, atë të regjimeve autokrate dhe lëvizjeve të shfrenuara populiste anembanë botës. Njëlloj si atëherë, demokracia liberale është destinuar të fitojë edhe këtë betejë.

Dobësia e shtirur e demokracisë. Në fillim të shekullit të 20-të dukej sikur demokracia liberale është më e dobta dhe e para në listë për eliminim. Asaj i mungojnë plot tipare të konkurentëve që në dukje i bëjnë të fortë, fenomene të tilla si kapaciteti për mobilizim, efikasitet, vendimarrje të shpejtë, fanatizmi dogmatik që nuk toleron ndasi të brendshme dhe mendim ndryshe, kohezioni social i ushqyer nga kulti ndaj autoritetit, sukseset e shpejta në lëminë ekonomike e të tjera. Ndërkaq demokracia liberale nga vetë natyra është e mbushur me konradikta dhe dyshime në vetvete, me qindra opinione të zëshme, ndasi të brendshme, përplasje mes partive, parlamente me debate të kota, qeveri jostabile që pasojnë njëra tjetrën dhe nevoja për kompromise e konsensuse që ngadalësojnë përherë vendimarrjen. Para ideologjive totalitare demokracia dukej si gjah i lehtë. E megjithatë ajo arriti t’i mposhtë të gjitha një nga një, ashtu siç do të bëjë edhe me konkurentët e sotëm.

Mposhtja e nacizmit. Epokën mes dy luftërave botërore e shënoi ngritja e dy ideologjive autokrate, fashizmit dhe nacizmit. Të dyja fillimisht patën suksese të jashtëzakonshme, që për ta paraqisnin shenja superioriteti. Duke përqëndruar pushtetin në duart e veta, së pari Musolini në Itali ju dha fund krizave të njëpasnjëshme qeveritare, stabilizoi vendin, eliminoi mafinë si faktor dhe riktheu Italinë si fuqi në arenën ndërkombëtare. Për simpatizuesit e fashizmit sidomos tërheqës ishte fakti që në Itali kishte rend dhe disciplinë, të simbolizuar me thënien e famshme se Musolini bëri që trenat të vijnë në kohë.

Ndërkaq në Gjermani nacizmi erdhi në pushtet në fillim të viteve 30-të, në vlugun e Depresionit të Madh. Lënë anash metodat johumane të tij, ai arriti të përballet mirë me këtë krizë. Me mobilizm të shoqërisë gjermane nacistët arritën të industrializojnë shpejt vendin, të rikthejnë Gjermaninë në skenë si fuqi kryesore ekonomike dhe ushtarake, e të anulonin kushtet e turpshme të paqes nga Lufta e Parë. Sukseset e nacizmit po ndiheshin në të gjitha anët; Gjermania madje u bë superfuqi sporti kur fitoi më së shumti medalje në Lojërat Olimpike 1936. Në të njëjtën kohë demokracitë liberale ende nuk po tejkalonin krizën ekonomike të Depresionit të Madh. Për nacistët kjo ishte sinjali më i qartë se demokracitë janë të dobta dhe se ideologjia e tyre ishte superiore.

Fashizmi dhe nacizmi u ndeshën me demokracinë liberale në Luftën e Dytë Botërore. Lufta përfundoi me fitore absolute të demokracisë liberale, e cila dëshmoi kapacitet të mahnitshëm për mobilizim kur ndihet e kërcënuar. Nacizmi u mposht njëherë e përgjithmonë dhe kaloi në histori si sistem i dështuar.

Mposhtja e komunizmit. Sfida e ardhshme e demokracisë ishte përplasja me komunizmin, një sistem poaq autokrat dhe i egër si nacizmi. Komunizmi pretendonte se ishte ideologji superiore duke shfrytëzuar argumentet e njëjta si nacistët 20 vite më parë. Në vendet ku ishte në pushtet ai arriti përparim të shpejtë ekonomik. Vendet komuniste kishin rend, disciplinë, rregull dhe mund të mobilizoheshin shpejtë dhe në mënyrë efikase për qëllime të caktuara, për shembull për industrializim të shpejtë, ndërtim rrugësh, elektrifikim e të tjera. Komunizmi fillimisht shënonte suksese në lëmi pas lëmie, që për të dëshmonte superioritetin ndaj demokracive liberale. Për këto shkaqe ai u tregua joshës dhe u përhap gjithkund nëpër botë, sidomos në vendet e sapoçliruara nga kolonializmi të Afrikës e Azisë.

Në vitet e 70-ta dukej se e ardhmja e botës ishte komuniste. Perëndimi po lëngonte nga kriza ekonomike dhe komunistët e kishin mposhtur ushtarakisht në Vietnam. Ndërkohë komunizmi po kalonte epokën e tij të artë. Por vetëm një dekadë më vonë ai implodoi nga dobësia e vet interne. Legjitimiteti i tij politik veçmë kishte filluar të zbehet, ndërsa u pa se ai ka patur sukses ekonomik vetëm në stadin e parë të modernizimit me forcë në vendet e prapambetura. Përtej saj ai po humbte betejën me kapitalizmin, duke ngecur gjithnjë e më tepër në të gjitha sferat. Rrënia e murit të Berlinit shënoi kapitulimin e tij përfundimtar. Ai hodhi peshqirin para forcës së papërballueshme të demokracisë dhe kapitalizmit.

Sistemet e sotme autokrate. Sot demokracia liberale po përballet me armiq të llojit të njëjtë, të mbuluar me mantelë të ndryshme, atë të regjimeve autokrate si Kina e Rusia. Mirëpo kjo sfidë nuk është asgjë e re. Sukseset e regjimeve autoritare janë po të njëjtat që kishin shfaqur në fillimet e tyre nacizmi dhe komunizmi. Ata pikë së pari thirren në kapacitetin për stabilitet, rend, disciplinë dhe rregull, përkundër kaosit që paraqesin ndryshimet e vazhdueshme në vendet demokratike. Pa dyshim regjimet e këtilla kanë shënuar edhe suksese ekonomike dhe janë përballur mirë me krizën financiare të vitit 2008. Njëlloj si kishin dështuar me Depresionin e Madh, kapitalizmi dhe demokracia liberale tani shihen si të pafuqishme përballë krizave si ajo e vitit 2008. Dhe përderisa regjimet autokrate akoma mbeten stabile, demokracitë janë nën sulm të vazhdueshëm nga brenda nga lëvizjet populiste. Si veti e fuqishme e autoritarëve llogaritet edhe kapaciteti për vendime të shpejta, përkundër demokracive që duket sikur s’janë në gjendje të marrin asnjë vendim të rëndë e të shpejtë. Në fund, njëlloj si nacizmi dhe komunizmi, sukseset e këtilla kanë inkurajuar kopjim në shtete tjera si Hungaria, Polonia, Turqia, apo lëvizjet populiste në Perëndim.

Por i gjithë rrëfimi është veçse përsëritje e skenave të luajtura disa herë më parë në shekullin e 20-të. Stabiliteti i regjimeve autokrate hë për hë maskon dobësinë e vërtetë të tyre ekonomike, ndërsa kohezioni i brendshëm i tyre po arrihet vetëm me dhunë. Ndërkaq kaosi i dukshëm në demokracitë liberale në fakt është shenjë vitaliteti dhe energjie që do të fokusohet kur dhe ku do të duhet. Ashtu si më parë regjimet e këtilla autoritare do të arrijnë kufijtë e vet përtej së cilave nuk kanë kapacitet të maten me demokracinë dhe kapitalizmin. Në fund përherë fitojnë demokracia dhe kapitalizmi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button