VMRO i afrohet 60 deputetëve

VMRO-DPMNE është shumë afër realizimit të ëndrrës për fitoren e rreth 62 deputetëve, të cilët gjatë fushatës së fundit i ka kërkuar me këmbëngulësi nga elektorati maqedonas lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski. 

Shifrat e publikuara natën e së dielës shkojnë në drejtim të realizimit të këtij qëllimi, ashtu si edhe raporti i krijuar mes partisë më të madhe në pushtet dhe opozitës maqedonase, shkruan gazeta Koha. 

Gjatë zgjedhjeve të së dielës, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, fitoi rreth 48 mijë vota më shumë se në vitin 2013 dhe 10 mijë vota më shumë sesa fitoi kjo parti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2011. 

LSDM opozitare kishte të dielën rritje të votave për dallim nga viti 2013, por numri i votave që grumbulloi Stevo Pendarovski ishte për 42 mijë më i vogël sesa numri i votave që fitoi kjo parti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2011. 

Kështu është rritur edhe dallimi mes dy blloqeve politike maqedonase, i cili në zgjedhjet e fundit presidenciale – shkon në 120 mijë, numër ky shumë më i madh sesa ai i vitit 2011.

 Kalkuluar në koeficient të raporteve mes VMRO-DPMNE-së, vërehet poashtu një rritje e dukshme nga zgjedhjet e vitit 2011. 
Atëherë dallimi ishte në 1.2, që u rrit në zgjedhjet e vitit 2013 në 1.4 në favor të VMRO-DPMNE-së. Edhe në zgjedhjet e së dielës kur u votua për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, VMRO arriti të ruajë raport të njëjtë, që sipas ekspertëve, nëse ruhet në rrethin e dytë, VMRO siguron 60 deputet dhe ndoshta edhe më tepër. 

Disa prej tyre madje thonë se tre deputetët e diasporës, nëse dalin të sakta pritjet që rezultojnë nga numri i të paraqiturve, do ti rrisin VMRO-DPMNE-së numrin e deputetëve nga 60 deri në 63 deputetë. Analisti i proceseve zgjedhore, Robert Nesimi, rikujton se dallimi mes dy partive më të mëdha maqedonase në zgjedhjet e vitit 2006 ishte vetëm 70 mijë, ndërsa tani ky dallim është rritur për 50 mijë.

Lajme të ngjashme

Back to top button