fbpx

Shtatë fakte që mund të mos i dini për liderin legjendar Genghis Khanin

Ndërmjet vitit 1206 dhe vdekjes së tij në vitin 1227, udhëheqësi mongol Genghis Khan – Xhengiz Kan, pushtoi rreth 12 milion milje katrorë territore – më shumë se çdo individ tjetër në histori. Ai përshkoi një rrugë të pamëshirshme përmes Azisë dhe Evropës, që la miliona të vdekur, por gjithashtu modernizoi kulturën mongole, përqafoi lirinë fetare dhe ndihmoi në krijimin e kontakteve ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Më poshtë, 10 fakte për një sundimtar të madh, i cili ishte njëkohësisht një gjeni ushtarak, burrështetas politik dhe një gjakatar terrorizues.

1. “Genghis” nuk ishte emri i tij i vërtetë

Njeriu që do të bëhej “Khan i Madh” i Mongolëve, lindi përgjatë brigjeve të lumit Onon rreth vitit 1162 dhe fillimisht quhej Temujin, që do të thotë “hekuri” ose “farkëtari”. Ai nuk e mori emrin e nderit “Genghis Kahn” deri në vitin 1206, kur u shpall kreu i Mongolëve, në një takim mes fiseve të njohur si “kurullai “. Ndërsa “Khan” është një titull tradicional që do të thotë “udhëheqës” ose “sundimtar”, historianët ende nuk janë të sigurt për origjinën e “Genghis”. Mund të ketë patur kuptimin e “oqean” ose “vetëm”, por në kontekst ai zakonisht përkthehet si “sundimtar suprem” ose “sundimtar universal”.

2. Ai kishte një fëmijëri të vështirë

Që në moshë të hershme, Genghis u detyrua të luftojë me brutalitetin e jetës në stepat mongoleze. Tatarët rivalë e helmuan babain e tij, kur ai ishte vetëm nëntë vjeç, dhe fisi i tij dëboi më pas familjen e tij, duke e lënë nënën e tij që të rriste e vetme shtatë fëmijë. Genghis u rrit duke ndjekur gjuetinë për të mbijetuar, dhe në adoleshencë mendohet se ka vrarë gjysmëvëllanë e tij, në një grindje për ushqimin. Gjatë viteve të adoleshencës, klanet rivale rrëmbyen atë bashkë me gruan e tij të re, dhe Genghisi kaloi disa kohë si skllav, përpara se të bënte një arratisje të guximshme. Përkundër të gjitha këtyre vështirësive, në fillim të të 20-tave, ai ishte bërë tashmë një luftëtar dhe udhëheqës i frikshëm. Pas grumbullimit të një ushtrie mbështetësish, ai filloi të krijojë aleanca me krerët e fiseve të rëndësishme. Nga viti 1206, ai kishte konsoliduar me sukses konfederatat e stepës nën flamurin e tij, dhe filloi të kthejë vëmendjen nga pushtimet e jashtme.

3. Disa nga gjeneralët e tij më të besuar ishin ish-armiq të tij

Khani i Madh kishte një sy të zjarrtë për talentin dhe ai zakonisht i promovonte oficerët bazuar në aftësitë dhe përvojën, në vend të klasës, prejardhjes apo madje edhe të kaluarës. Një shembull i famshëm i këtij besimi në meritokracinë, erdhi gjatë një beteje në vitin 1201 kundër fisit rival të Taijut, kur Genghisi pothuajse u vra, pasi kali i tij u qëllua nga poshtë me  shigjetë. Kur ai më vonë iu drejtua robërve Taijut dhe kërkoi të dinte se kush ishte përgjegjësi, një ushtar i guximshëm u ngrit dhe pranoi të ishte autori. I shtyrë nga guximi i ushtarit, Genghisi e bëri atë oficer në ushtrinë e tij dhe më vonë e quajti “Jebe”, ose “shigjetë”, për nder të takimit të tyre të parë në fushën e betejës. Së bashku me gjeneralin e famshëm Subutai, Jebe do të bëhej një nga komandantët më të mëdhenj të mongolëve gjatë pushtimeve të tyre në Azi dhe Evropë.

4. Ai rrallëherë linte hesape pa larë

Genghis Khan shpesh u jepte mbretërive të tjera një shans për t’iu nënshtruar paqësisht sundimit mongol, por ai nuk hezitonte të ulte shpatën ndaj ndonjë shoqërie që rezistonte. Një nga fushatat më të famshme të hakmarrjes erdhi në vitin 1219, pasi Shahu i Perandorisë Khvarezmid shkeli një traktat me mongolët. Genghis i kishte ofruar Shahut një marrëveshje të vlefshme tregtare për të shkëmbyer mallra përgjatë Rrugës së Mëndafshit, por kur emisarët e tij të parë u vranë, Khani i tërbuar u përgjigj duke lëshuar forcën e hordhive të tij mongole, në territoret e Khvarezmidit në Persi. Lufta e mëvonshme la miliona të vdekur dhe perandoria e Shahut u rrënua plotësisht, por Khani nuk u ndal aty. Ai vazhdoi me fitoret duke u kthyer në lindje dhe duke bërë luftë kundër Tangutëve të Xi Xias, një grup fisesh mongole që kishin refuzuar urdhrin e tij për të siguruar trupa për pushtimin e perandorisë së SHahut. Khani i Madh urdhëroi ekzekutimin e të gjithë familjes mbretërore të Tangut, si ndëshkim për mosbindjen e tyre.

5. Ishte tolerant ndaj feve të ndryshme

Ndryshe nga shumë ndërtues perandorish, Genghis Khani përqafonte shumëllojshmërinë e territoreve të sapo pushtuara. Ai miratoi ligje që shpallnin lirinë fetare për të gjithë dhe madje ofroi përjashtime nga taksat, në vendet e adhurimit. Kjo tolerancë e kishte një anë politike – Khani e dinte se subjektet e lumtura kishin më pak gjasa të rebeloheshin – por mongolët gjithashtu kishin një qëndrim jashtëzakonisht liberal ndaj fesë. Ndërsa Genghisi dhe shumë të tjerë u pajtuan në një sistem besimi shamanist, që nderonte shpirtrat e qiejve, erërave dhe maleve, popujt e stepave ishin një grup i larmishëm që përfshinte të krishterët, budistët, muslimanët dhe traditat e tjera animistike. Khani i Madh gjithashtu kishte një interes personal ndaj spiritualitetit. Dihej se ai lutej në çadrën e tij për ditë të tëra, para fushatave të rëndësishme dhe shpesh takohej me udhëheqës të ndryshëm fetarë, për të diskutuar detajet e besimeve të tyre. Në moshë të shkuar, ai madje thirri udhëheqësin taoist Qiu Chuji në kampin e tij, dhe të dy bashkë zhvilluan biseda të gjata mbi pavdekësinë dhe filozofinë.

6. Ishte përgjegjës për vdekjen e 40 milionë njerëzve

Ndërsa është e pamundur të dimë me siguri se sa njerëz humbën jetën gjatë pushtimeve mongole, shumë historianë e vendosin numrin diku rreth 40 milionë. Regjistrimet e mesjetës tregojnë se popullsia e Kinës u shkatërrua me dhjetëra milionë njerëz, gjatë jetës së Khanit dhe studiuesit vlerësojnë se ai mund të ketë vrarë një të katërtën popullsisë të Iranit të sotëm, gjatë luftës së tij me Perandorinë Khvarezmid. Sulmet e Mongolëve mund ta kenë zvogëluar gjithë popullsinë botërore me afërsisht 11 përqind.

7. Askush nuk e di se si vdiq apo ku është varrosur

Nga të gjitha enigmat që rrethojnë jetën e Khanit, ndoshta më e famshmja ka të bëjë se si ishte fundi i tij. Rrëfimi tradicional thotë se ai vdiq në vitin 1227 nga plagët e pësuara pasi ra nga kali, por burime të tjera rendisin çdo gjë, nga malaria, deri tek një plagë shigjete në gju. Një nga rrëfimet më të dyshimta madje pohon se ai u vra, ndërsa përpiqej të përdhunonte një princeshë kineze. Sido që të ketë vdekur, Khani u përpoq shumë ta ruante sekret vendin e prehjes. Sipas legjendës, ata që ishin pjesë e procesionit të varrimit vranë këdo që ndeshën rrugës, dhe më pas kalëruan vazhdimisht mbi varrin e tij për ta fshehur. Varri ka më shumë gjasa të ndodhet në një mal Mongolian të quajtur Burkhan Khaldun, por sot e kësaj dite vendndodhja e tij e saktë nuk dihet. / Përgatiti: bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button