Man. City e PSG nën lupën e UEFA-s, rrezikojnë sanksione

Shpenzimet marramendëse që i kanë ngjitur në majat e futbollit europian mund të kthehen në një bumerang me pasoja fatale për Manchester City dhe Paris Saint Germain.

Të dyja klubet, shpesh herë mjaft të diskutuara për investimet qindra milionë Euroshe në sezonet e fundit, janë vendosur nën lupën e UEFA-s dhe rrezikojnë penalitete serioze nëse do të vërtetohet se kanë shkelur rregullat e Fair Play financiar.

Në një investigim të gjerë janë përfshirë gjithsej 76 klube europiane, por janë City dhe Parisi më të rrezikuarit me fatin që pritet ta mësojnë shumë shpejt, transmeton Supersport.

E sigurt është që nuk do të ketë përjashtim nga pjesëmarrja në Champions League dhe ndëshkimet më të mundshme që mund të aplikohen ndaj tyre janë gjoba shumë të larta apo bllokadë në merkato, si në rastin e Barcelonës që u penalizua nga FIFA për parregullsitë në transferimet e disa futbollistëve minorenë.

Autoriteti kontrollues me në krye ish kryeministrin belg Jean-Luc Dehaene do të marrë në shqyrtim të gjitha rastet që dyshohen për shkelje të fair play financiar, ndërsa vendimet e detajuara për çdo klub pritet të bëhen publike nga UEFA më 5 Maj. Pavarësisht të ardhurave të majme, Manchester City ka deklaruar 149 milionë Paund humbje në dy sezonet e kaluara, por janë parizienët me në krye presidentin Al-Khelaifi që ndihen më të rrezikuar.

Klubi francez dyshohet se për të fshehur humbjet në shifrën e 130 milionë Eurove, nënshkroi një kontratë të dyshimtë sponsorizimi me Autoritetin e Turizmit të Katarit, marrëveshje që më herët është përfolur nga “L’Equipe”, ndonëse nga presidenti Al-Khelaifi është këmbëngulur se gjithçka ka qënë e ligjshme dhe brenda rregullave të UEFA-s.

Lajme të ngjashme

Back to top button