Deri më tani në KSHZ nuk ka ankesa për rrethin e parë të zgjedhjeve

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni kaloi qetë. Nga 1.779.572 votues të regjistruar në Listën zgjedhore, në votime dolën 869.137 qytetarë apo 48,84 për qind, deklaroi sot në konferencë për shtyp kryetari i Komisionit shtetëror zgjedhor, Nikolla Rilkoski.

Për kandidatin për president të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Gjorge Ivanov votuan 449.068 qytetarë apo 51,67 për qind, për kandidatin e LSDM-së dhe koalicionin, Stevo Pendarovski 326.133 apo 37,52 për qind, për Iljaz Halimin nga PDSH 38.966 apo 4,48 për qind dhe për kandidatin e GROM-it, Zoran Popovskin 31.366 votues apo 3,61 për qind.

KSHZ, siç deklaroi Rilkoski, nuk ka të dhëna nga vendvotimet në Toronto, Pikago dhe Kanberrë. 

Numri i fletëvotimeve të pavlefshme është 23.674, ndërsa Rilkoski tha se tani për tani nuk ka informatë se përse është kështu.
Deri në mbajtjen e konferencës për shtyp, në KSHZ nuk kishte të parashtruara ankesa nga pjesëmarrësit e zgjedhjeve të djeshme presidenciale. Afati për parashtrimin e ankesave është 48 orë.

Rilkoski tha se zyrtarisht KSHZ ka njoftim për një incident në Negotinë, kur persona të panjohur kanë thyer kutinë e votimit dhe fletët ishin shpërndarë. “Votimi në atë vendvotim është ndërprerë”, deklaroi kryetari i KSHZ-së.

Për ngjarjen në Shuto Orizarë në SHF “Vëllezërit Ramiz dhe Hamid”, tha se anëtarët e Komisionit ishin atje dhe se kanë qenë të informuar nha përfaqësuesi i LSDM-së se në cilësinë e vëzhgueses Radmilla Shekerinska është sulmuar nga Amdi Bajram dhe djali i tij.

“Atje ka dalë në vendngjarje edhe policia. Lidhur me atë ngjarje do të presim ta shohim epilogun nga policia dhe nga njohuritë tona do të vendosim se si do të veprojmë më tutje”, tha Rilkoski.

Anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibraimi theksoi se ka informatë se organizata joqeveritare VEPRO nuk e ka kryer misionin e vet vëzhgues sipas Kodeksit për vëzhgim dhe se në mbledhjen e nesërme do të kërkojë sërish shqyrtimin e akreditimeve të lëshuara të vëzhguesve. Përfqësues të kësaj organizate joqeveritare, sipas tij, kanë poseduar listë zgjedhore dhe i kanë regjistruar ata të cilët e kanë realizuar të drejtën e votës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button