Reforma territoriale, Meta: Protestat, kërcënim absurd

Kryetari i Kuvendit, njëherësh kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e konsideroi dje absurd kërcënimin e opozitës për të zhvilluar protesta kundër miratimit të reformës territoriale. Sipas tij, mazhoranca bëri gjithçka për t’i ofruar konsensusin e kërkuar opozitës. Aleati kryesor i socialistëve, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, vuri theksin tek vlerësimi i “Standard & Poor’s” duke e ripozicionuar ekonominë shqiptarë nga nota “negative”, në notën “e qëndrueshme”. Meta komentoi më tej debatet e fundit për sms-në e ministrit Tahirit, protestën për Ilia Karelin apo akuzat ndaj Forcave të Armatosura për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike.

 Reforma territoriale

 “Kërcënimi për protesta mbetet një e drejtë e opozitës, por padyshim që tingëllon absurde kur refuzon këtë konsensus të ofruar në mënyrën më bujare dhe njëkohësisht kur dihet që kjo është një reformë e kërkuar, jo vetëm nga qytetarët tanë që kërkojnë shërbime më të mira nga pushtet vendor, por njëkohësisht edhe një reformë e kërkuar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë pikërisht tepër të angazhuar për të ndihmuar edhe me ekspertizë, edhe duke financuar realizimin kësaj reforme”, – tha kryeparlamentari. Sipas tij, mazhoranca ka treguar vullnet maksimal bashkëpunimi, por koha po ikën dhe duhen respektuar disa afate kushtetuese. “Prandaj, ne do të dëshironim që të kishte një reflektim dhe opozita”, – deklaroi Meta. I pyetur për deklaratën e Ramës se mazhoranca i ka 84 vota, Meta tha se ky deklarim nuk është tregues i arrogancës së mazhorancës por përkundrazi, i tolerancës së saj.

Ekonomia

 “Tashmë edhe “Standard &   Poor’s” rikonfirmon vendimin e drejtë dhe të domosdoshëm që qeveria shqiptare mori që në fillim duke nënshkruar marrëveshjen me FMN-në si rruga më e mirë për të rikthyer ekonominë shqiptare në binarët e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Marrëveshja trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar garanton disiplinën e nevojshme në mirëqeverisjen e financave publike të vendit. I jep frymëmarrjen e duhur ekonomisë përmes injektimit të një shume të konsiderueshme parash të cilat nuk do të shkojnë vetëm në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, gjë e cila në vetvete do të ketë impakt të ndjeshëm dhe reaksion pozitiv zinxhir në të gjithë ekonominë tonë”, – deklaroi dje Meta duke vlerësuar kështu vendimet ekonomike të qeverisë. Por shtoi ai, pavarësisht këtyre lajmeve të mira, sfidat që vendi ka përpara janë të shumta dhe nuk duhet humbur kohë.

Vrasja e Karelit dhe rendi 

Meta komentoi edhe vrasjen e emigrantit shqiptar Ilia Kareli në burgjet greke, duke theksuar se mbështet qëndrimin e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço për vendosjen e drejtësisë. Sa u përket protestave dhe reagimit të policisë, kreu i LSIsë, përshëndeti vendimin për pezullimin e punonjësve të policisë, të cilët tejkaluan përdorimin e forcës gjatë atij manifestimi ndërsa dënoi përpjekjet për të   politizuar këtë protestë dhe për të nxjerrë përfitime politike prej saj. Meta ka dalë në mbrojtje dhe të ministrit Tahiri sa i përket smssë së fundit të publikuar në media nga deputeti i PD-së, Flamur Noka. “Nuk më pëlqen që të bëjmë politikë përmes vrimës së çelësit, sepse kjo është një politikë që i takon së kaluarës dhe nuk është aspak e dobishme, transparente dhe racionale për të na ndihmuar për të ardhmen”, – deklaroi Meta. Duke u nisur nga teksti i mesazhit, sipas tij, “pa dashje përfaqësues të PD-së i kanë vendosur një gjoks një medalje Tahirit”. 

Akuzat ndaj FA-së 

Sa i përket akuzave ndaj Forcave të Armatosura për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike, Meta tha se vetë Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përgjigjen më të drejtë më transparente dhe më ligjore, duke iu drejtuar Prokurorisë. “Së dyti unë do ta ftoja PDnë që pavarësisht nga dallimet e forta politike që ka me mazhorancën aktuale apo me ministra aktualë, sidomos kur bëhet fjala sa i takon elementëve të sigurisë kombëtare, problemet që kanë të bëjnë me rendin publik, me Policinë e Shtetit, me Forcat e Armatosura, ta përmbajnë këtë dallim të fortë politik dhe të kontribuojnë që të forcohet më tej siguria kombëtare në vend. Sepse ky është interesi i qytetarëve tanë, ky është edhe interesi i partnerëve tanë, aq më tepër edhe të vetë NATO-s, ku Shqipëria aderon me sukses prej disa vitesh”,- theksoi ai. Rezoluta Shqipëri-PE Lidhur me mungesën e një rezolute të përbashkët të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-PE, Meta tha se nuk është për faj të mazhorancës e cila ka bërë përpjekjet maksimale. “Besoj se angazhimi dhe toleranca edhe e z. Balla edhe e mazhorancës ka qenë maksimale. Rezultati konkret tani nuk varet më nga mazhoranca”, – tha ai.  

Konventa e vendorëve, Basha paralajmëron protesta   

Protesta mbarëpopullore është përgjigja e opozitës për ftesën e përsëritur nga mazhoranca për konsensus lidhur me reformën administrativo-territoriale. Vendimi është përcjellë dje nga kreu i demokratëve njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tre ditë para seancës së të enjtes kur pritet që mazhoranca të marrë masa ligjore për ta bërë funksional komisionin parlamentar të ngritur me këtë qëllim. Gjatë konventës së të zgjedhurve vendorë demokratë, Basha deklaroi se mazhoranca nuk mund të imponohet për një reformë të njëanshme dhe një reformë me qëllime politike, siç e cilësoi ai. 

Paralajmërimi për protesta 

“Tentativat e zotit Rama, që në emër të shumicës së tavolinës prej 84 votash, të bëjë një reformë të njëanshme do të kenë reagimin tonë të fuqishëm. Ky takim ka edhe këtë qëllim, të japë mesazhin për një reagim mbarëpopullor. Së bashku do të përcaktojmë dinamikën e këtyre veprimeve   nëse detyrohemi të nisim betejën tonë në rrugë dhe në sheshe. Një gjë duhet ta bëjmë të qartë, vetëm pranimi i konsensusit mund të na kthejë nga kjo rrugë, asgjë tjetër”, – paralajmëroi dje Basha. Duke e cilësuar një pseudoreformë, Basha tha se qëllimi i saj është politik. Sipas tij vëmendja e mazhorancës është përqendruar vetëm tek ndryshimi i kufijve administrativë, pa konsideruar fillimisht çështjen e decentralizimit, demokracisë vendore, autonomisë, përgjegjësive e kompetencave, të mekanizmave të balancës dhe kontrollit, të raporteve mes niveleve të qeverisjes vendore dhe po ashtu raporteve mes qeverisjes vendore e strukturave në territor të qeverisjes qendrore.

 “Qëllimi i dyshes Rama- Meta është vetëm dhe vetëm një hartë e re administrative që kënaq orekset e tyre politike, lehtëson përdorimin në zgjedhjet e ardhshme vendore të skemave të njohura të joshjes e blerjes së votave që u përdorën në shkallë të   gjerë në zgjedhjet e kaluara politike, krijon avantazhe politike lokaliste për zgjedhjet e ardhshme“ – pohoi kreu i PDsë. Sipas tij në një reformë e plotë duhet të përmbante edhe rritje të kompetencave të pushtetit vendor, ndryshim të mënyrës së zgjedhjes së drejtuesve lokalë e deri tek ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Por nxitimi, siç e quajti ai, për të bërë këtë anti-reformë ka vetëm një qëllim: “Për të bërë salamandrën e re elektorale me qëllim për të marrë zgjedhjet e pushtetit vendor”. Kreu i demokratëve paralajmëroi se reagimi popullor është për atë që e quajti, ndarje sipas stilit të aparteidit afrikano-jugor të fondeve të qeverisë për pushtetin vendor, të miratuar përpara pak ditësh, ku sipas Bashës, 92% e këtyre parave kanë shkuar për njësitë e majta. “Nëse zoti Rama mendon se do të përdorë luftën e klasave në ndarjen e parave të buxhetit të shtetit, taksapaguesve iu lind e drejta e rebelimit dhe refuzimit, siç i garanton Kushtetuta sovranit”, – shtoi Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button