fbpx

Ciklet zgjedhore si ilustrim i stadeve zhvillimore komunitare

IRJ e Maqedonisë kaloi me “sukses” rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Rezultatet janë ato që priteshin nga opinioni i gjerë publik dhe tashmë konstante viteve të fundit. Maskarada do përmbyllet plotësisht pas dy javësh me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ku sërish rezultatet do jenë deridiku të njëjta dhe tashmë të anticipuara si në opinionin vendës ashtu edhe nga qendrat vendimmarrëse të jashtme.

Pra rezultantja finale e këtyre zhvillimeve të fundit politike dihet që para dhe ska nevojë të analizohet fare këtu. Strukturat para politike që supozohet se përfaqësojnë politikisht komunitetin shqiptar apo mbrojnë interesat e tij, do të plotësojnë më së miri skenarët e përgatitur nga tjerët në këtë vend. Qoftë në rastin e zgjedhjes së presidentit apo në çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ato në sytë e faktorit ndërkombëtar aktrojnë/luajnë shumë mirë rolin e dekorit të “demokracisë shumë etnike maqedonase”.
Me këtë legjitimojnë dhe ligjërojnë edhe për katërvjeçarin e ardhshëm praktikat tashmë të institucionalizuara të kapjes së shtetit nga një strukturë e caktuar njëetnike e cila ka bllokuar tërësisht progresin e komunitetit shqiptar këtu, duke i mbyllur të gjitha rrugët e avancimit politik juridik, prosperitetit socio ekonomik dhe emancipimit kulturor.

Dhe kështu historia përsëritet katërvjeçarë pas katërvjeçari. Me raste dhe sipas interesave partiako politike afatmesme të strukturave shtetërore ose qeveritare, historia mer formën e zgjedhjeve të parakohshme duke u përsëritur në tre, me raste edhe në dyvjeçarë. Kjo sa i takon fasadës së proceseve politike dhe atyre elektorale këtu. 
Por proceset e njëpasnjëshme zgjedhore përgjatë 25 viteve të fundit në këtë republikë ish jugosllave, shpalosin një diçka shumë më serioze se emri apo emrat i/e grupeve “fituese” të zgjedhjeve të rradhës. Këto dinamika politike nxjerrin në dritë një fenomen shumë më serioz dhe fatalisht të pariparueshëm në periudha afatshkurtëra dhe afatmesme. Ato pasqyrojnë njëkohësisht, besnikërisht dhe dhimbshëm, disnivelet sistemore, konceptuale zhvillimore mes shqiptarëve e maqedonasve etnikë këtu. Ato janë indikatorë, tregues realë të pozitës së rëndë dhe jonormale shoqërore në të cilën jemi ne gjithë bashkë. 

Dhe këtë gjendje substancialisht katastrofale se ndryshon dot për të mirë asnjë fjalor “europianist” apo “demokratik” i elementeve partiake drejtuar mediave të blera, gjatë mitingjeve me huliganë partiakë, klane mafiozësh apo në takimet e kurdisura me grupe “qytetarësh” që të detyruar nga mbijetesa biologjike e të kushtëzuar në njëmijë e një mënyra u shkojnë nga pas.

Matrica, Fjalëkodi por edhe Enigma, Puzzle-i i/e real politikës në Maqedoni është një dhe vetëm një: Diferenca e madhe (për të mos thënë kolosale) në të kuptuarit, të dekoduarit, të zbërthyerit e dukurive, fenomeneve, strategjive, veprimtarisë, aksionit politik mes dy komuniteteve të mëdha etnike që supozohet të kenë ndërtuar koncenzualisht (së paku pas vitit 2001) këtë shtet. 

Ky është fataliteti ynë kolektiv që thjesht nuk tejkalohet, eliminohet apo zhbëhet dot. Transformimi i shumëpritur i sistemit politik autoritaro-monoetnik nuk është duke u arritur kurse vetë praktika diskriminuese nuk është duke u çmontuar asesi. 
Duhet kuptuar dhe pranuar (kjo e dyta sa më shpejt aq më mirë për ne) që komuniteti sllavishtfolës gjendet, ndodhet, jeton, vepron në një koncept, zonë, shkallë, nivel, dimension politik (në kuptim të Res Publica) krejt tjetër dhe shumë më të avancuar në kohë dhe hapësirë. Komuniteti në fjalë gjendet vetëm virtualisht në një shtet të përbashkët me komunitetin e dytë më të madh. Në realitet, ai ka ndërtuar një Polis të veçantë i cili funksionon me ligjshmëritë dhe rregullat e veta si i pavarur dhe i ndarë, segreguar dhe izoluar nga anarkia vetëvrasëse e shoqërisë paralele shqiptare/shqipfolëse. Bashkëjetesë ndëretnike, shoqërore në kuptim të ndarjes së barabartë të detyrimeve, obligimeve, përgjegjësive por edhe llogaridhënies politike e privilegjeve të të mirave materiale, mirëqenies kombëtare nuk ekziston.

Realisht, të dyja Poliset de fakto autonome rrugëtojnë në një si të thuash trajektore apo vijë të zhdrejtë me një disproporcion të theksuar në raportet reciproke në rrugën e tyre drejt realizimit të qëllimeve strategjike. Objektivat publikisht dhe deklarativisht vazhdojnë të mbeten të njëjtat ose edhe të përbashkëta me diferenca më e pakta inekzistente më e shumta të parëndësishme. Por Polisi i parë duke bërë të tijat ose uzurpuar instrumentat e pushtetit (këtu në radhë të parë bëhet fjalë për asetet ekonomike, kulturë krijuese dhe ato të dhunës së organizuar shtetërore – monopoli i forcës së shtetit), dhe duke i përdorur ato parasëgjithash e ekskluzivisht për realizimin e koncepteve të veta nacionale, nuk merr parasysh objektivat e organizmit të dytë shoqëror me të cilin jeton afër, me ose edhe pranë (bashkëjeton), në një sistem të vetëm politik.

Nga ana tjetër dhe përballë tij ose në konkurencë të ashpër me Polisin shumicë relative të popullsisë, komuniteti shqipfolës gjendet, ndodhet, jeton, vepron në një ambient, shkallë, stad sociopolitik, kulturor që mund të definohet si rudimentar, i papërvojë, kryesisht i pazhvilluar ose naiv politikisht. Mjedisi social dhe ai kultur krijues mbetet në nivele realisht non dhe jashtë europiane. Mendësitë, mentaliteti, forma e veprimtarisë së përgjithshme publike në shoqëri, raportet ndërnjerëzore janë në diskrepancë të plotë konceptuale dhe civilizacionale me të parin.

Pse është kështu ose pse komuniteti i dytë më i madh në vend është këtu ku është, ka një arsye dhe spjegim historik, kushtëzuar nga faktorë, aktorë e zhvillime të ndryshme të natyrës historike. Përkatësia civilizacionale dhe kulturore nuk mund të përjashtohet përfundimisht nga analiza e stadit zhvillimor të një kolektiviteti të caktuar.

Megjithatë. Historia mbetet veprim në të kaluarën, mbetet thjesht histori. Ajo i takon së kaluarës dhe duke pasur parasysh deduksionin e gjithëpranuar në shkencat sociale për rolin e saj shpeshherë (por jo ekskluzivisht) përcaktues të destinit të kolektiviteteve, ardhmëria politike e shoqërisë shqipfolëse në IRJM parashihet disi e zymtë. 

Alternativat duket sikur janë shteruar ose mungojnë tërësisht. Faktorët të tjerë të jashtëm me agjenda tmerësisht antishqiptare dhe antieuropiane rrezikojnë të tjetërsojnë totalisht synimet historike, botëkuptimin nacional dhe agjendat politike të atyre pak grupeve shqipfolëse me njëfarë vetëdije civile dhe aktiviteti politik. Tjetërsimi në kontinentin Europë mund të përkthehet si humbje e luftës pa nisur mirë betejat (e natyrave të ndryshme) dhe eliminim si subjekt vendimmarrës apo edhe si njësi unike biologjike nga skena politike europiane.

Pa një ngritje serioze politike, pa vetëdijësim rënjësor civil, pa emancipim social, pa kulturizim në plotkuptimin e fjalës, pa një formësim ideologjik të masave të gjera e shtresave të ndryshme popullore, dhe në fund pa një humanizim tërësor në plotësinë e nocionit, termit nuk mund të ketë zhvillime konkrete në drejtim të avancimit të gjithanshëm e gjithëpërfshirës të komunitetit tonë këtu.

Kjo nga ana tjetër kërkon kohë, sakrifica, mund, veprim, aksion, tejkalim të vetvetes, pasi ligjshmëritë shoqërore kanë dinamikat, rregullat, origjinalitetin e tyre të zhvillimit/veprimit dhe nuk funksionojnë sipas ligjshmërive mekanike. Shtrohet pyetja e paevitueshme: Sa kohë? Shumë dhe pak si tepër për të qenë optimist. Fatkeqësisht.

Lajme të ngjashme

Back to top button