‘U tha, u bë’ gjuha shqipe (jo)zyrtare!

Edhe pse gjuha shqipe është zyrtare, akoma ‘sharra po has në gozhdë’ kur bëhet fjalë për respektimin e saj si gjuhë zyrtare nëpër të gjitha institucionet siç parashikohet me Kushtetutë. 

BDI në raportin e saj llogaridhënës lavdërohet se ka bërë goxha shumë punë për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, në radhë të parë në parlament, në administratë, dokumentet personale, qytetin e Shkupit etj. 

Por përderisa BDI pretendon se ‘Parlamenti flet dhe shkruan shqip’, duhet theksuar fakti se ish nënkryetarja e Parlamentit Suzana Saliu, gjatë gjithë mandatit të saj nuk drejtoi asnjë seancë, pasi këtë nuk mund ta bënte në gjuhën shqipe.

“Fatkeqësisht ende nënkryetari i Parlamentit, në këtë rast unë, nuk e ka gjetur mirëkuptimin që të dalë dhe të drejtojë seancat parlamentare në gjuhën shqipe”, pati deklaruar kohë më parë Saliu gjatë një prononcimi të saj.

Dhe jo vetëm në Parlament po zbatimi praktik i gjuhës shqipe pengohet edhe në shumë institucione të tjera shtetërore, ndërmarrja publike dhe organe të tjera shtetërore. Mbishkrimet edhe pranë institucioneve edhe udhërrëfyesit si në kryeqytet ashtu edhe qytete të tjera vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, ndërkaq shqipja nuk gjen zbatim aspak në ministri të ndryshme që udhëhiqen nga kuadro maqedonase.

Kohë ma parë Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti pati pranuar se problemi ekziston te interpretimi i ligjit për gjuhët, ndërkaq theksoi se çështja  mund të zgjidhet me interpretim autentik të ligjit.

“Duhet të ecet drejt avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe konform amendamentit V të Kushtetutës së Maqedonisë dhe të tejkalohen dallimet në interpretime ashtu siç u tejkaluan dhe reflektuan pozitivisht partitë politike maqedonase për ligjin për amnisti i cili u mbyll një kapitull i dhimbshëm për gjithë qytetarët e Maqedonisë, ashtu duhet të reflektojnë pozitivisht edhe për përdorimin e gjuhës shqipe,”, pati deklaruar Blerim Bexheti, ministër i drejtësisë, më (26.06.2012).

Megjithatë sipas përfaqësuesit të RDK-së Artan Dika, Neni 7 i Kushtetutës ( i cili rregullon përdorimin e gjuhëve) është mjaft i qartë në përmbajtjen e tij prandaj edhe janë krejt të padobishme kërkesat për interpretim autentik të këtij neni, kërkesa këto që, më shumë se sqarimin e përmbajtjes së nenit, kishin për qëllim manipulimin e opinionit publik për të fshehur dështimin e politikës së subjektit shqiptar që pretendon se ka arritur zyrtarizimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

“Një prej defekteve kryesore të MO-së në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në organet e pushtetit shtetëror  – që janë të gjitha organet që financohen nga buxheti i shtetit – është mos rregullimi i saktë i kësaj çështje me Marrëveshjen e Ohrit dhe me Kushtetutë, por përcaktimi në paragrafin e pestë të nenit 7 që kjo të bëhet përmes ligjit më vonë. Ky është rasti i asaj që në Shqipëri quhet ‘rezervë ligjore’, pra çështja në fjalë që përmendet në kushtetutë lihet të rregullohet me ligj, për miratimin e të cilit kuptohet se duhet edhe pëlqimi i shumicës maqedone (kjo nuk ekziston në paragrafin e gjashtë të përmendur më sipër që rregullon përdorimin e gjuhëve në nivel lokal). Një pengesë e tillë e ka sjell mundësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në kushtet e para vitit 2001, sepse dihet që problem për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ka qenë dhe vazhdon të jetë, jo çështja nëse gjuha shqipe duhet të rregullohet me kushtetutë apo me ligj, por mungesa e vullnetit të shumicës maqedone, dje për rregullimin e gjuhës shqipe me kushtetutë, ndërsa sot për rregullimin e saj adekuat me ligj” thekson Artan Dika, RDK.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve ndërkaq është katastrofalisht i dobët, me mbulim të cunguar dhe pa asnjë trup për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e përdorimit të shqipes, gjë që ka rezultuar në përdorim krejt jofunksional dhe jodetyrues të gjuhës shqipe në praktik. E gjithë kjo e shoqëruar me aversionin e zyrtarëve maqedonas dhe injorancën e mos reagimin e përfaqësuesve shqiptarë, ka sjellë për pasojë ngushtimin e mëtejshëm të përdorimit të gjuhës shqipe”, shton ai.

Nga ana tjetër Ahmeti edhe gjatë kësaj fushate parazgjedhore si kryefjalë ka avancimin e gjuhës shqipe

“Po hyjmë në një mandat tepër të rëndësishme politike dhe strategjike, siç është anëtarësimi në NATO, BE, avancimi i mëtejshëm i gjuhës shqipe, si do e përmbyllim kapitullin e gjuhës shqipe, sepse sipas MO dhe Kushtetutës, shqipja është gjuhë zyrtare në gjithë Republikën por deri tani, hap pas hapi kemi shkuar, dhe nuk e kemi mbyllur si kapitull”, theksoi ditë më parë Ali Ahmeti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button