KATUNI ÇI SHIHET KALLAUZ NUK DO

Çdo ditë të zotit kur e hap televizorin, patjetër të del ai emisioni me titullin Ha byrek që i përgjigjet kulturës dhe mentalitetit të këtij vendi ku na ka vendosur fati të jetojmë. Asgjë nuk kam kundër autorit të këtij emisioni, sepse nuk e shikoj, por njerëzit qahen për shkak të nivelit të profesionalizmit dhe të kujdesit të pakët për etikën gazetareske që e ke aty. Njerëzit shpesh thonë se nuk e shikojnë emisionin, po megjithatë ky farë emisioni thuajse çdo ditë komentohet nëpër kafenetë e shtresave tona të mjera të cilave buxheti familjar nuk u lejon që nga xhepi të nxjerrin më shumë se dhjetë denarë për një çaj. Njëri tha se e shikon „copa-copa“, jo nga fillimi deri në fund. Nuk i pëlqyekan fyerjet që u bëhen jo vetëm individëve, por edhe popujve të tërë. Një ditë udhëheqësi i emisionit paska folur shumë keq për norvegjezët, për francezët edhe për disa popuj të tjerë të Evropës duke u përpjekur që popullin e vet ta paraqesë shumë më të kulturuar në krahasim me ta. Një tjetër thotë se asgjë nuk janë fyerjet, por se “margaritar” i këtij emisioni qenka pjesëmarrja e shpeshtë e kryeministrit si mysafir i udhëheqësit të këtii emisioni “me byrek”. Dhe, me këtë rast pyet:

“A e nitë sha tha premieri”? Pastaj vetë përgjigjet: “Tha se na kem me i marrë xhashtdhet e dy deputet qi me i çitë n’dy guj ata t’BDI-së… A e dini se shka tha? Tha se koka absurd…”. Pastaj i kthehet njërit që është ulur pranë një tavoline: “Ça i bje kjo ‘absurd’ bre”? Ai, i uluri i tregon:
“Absurd? Absurd i bie me kanë diçka çi s’ta rrok menja, bile ma shkurt i bje punë kotnasikoti, po edhe ma mirë – budallallëk”.

“Ha, nime, çashtu asht… e kom ditë, pasha kuranin, po e pasna harru!…”, thotë dhe vazhdon: “Bash kshtu tha, vall’llahi! Tha se koka absurd me t’kërku ata t’BDI-së me e përdorë dyguhsinë n’Makedoni e ti me i ngu. Demek, dojke me thanë, kush janë ata t’BDI-së! Hej a s’e di aj burrë, premjer i ka thon vetit, se sha shkrun n’Marrveshjen e Ohrit, a? A s’e di se atje shkrun se nizet për çin e ma shumë n’koft se janë shqiptarë, atëherë guhë zyrtare asht edhe shqipja. Pikë!”
“E di, po ashtu ja ka kajtë”… po sha se shkrun? Kush ja tërt asaj pune çi shkrun?!” thotë njëri dhe të gjithë qeshin.

Pastaj dëgjohen cingërimat e lugëve të çajit të rëndë, me pak sheqer e pa limon, të cilat e prishin heshtjen. Njeriu, i cili flet rri në këmbë e vazhdon:
“Kshire ti se sha tha tevona premjeri. Une”, tha, “s’kam kurrxha kunra guhës shqipe, por me i çu me zor njerëzit n’Strumicë, n’Xhevxheli, n’Kratovë e n’Shkup çi pa çare me msu shqip, ky asht problem”. Përsëri heshtje. Pastaj njëri që është ulur e që e pi gllënjkën e fundit të çajit thotë:
“Kur koka problem për kta guha shqipe pse mos me kanë edhe për ne guha makedonisht…”. Pastaj heshtje përsëri. Dielli djeg, por tash ka plasur gjethi dhe era e lehtë që fryn e që i bën të shushurijnë gjethet  sjell pak freski pranvere edhe në tavolinën ku katër veta rrinë ulur e i pesti rri në këmbë, dukshëm nën presion të emocioneve.

“Hunxhu, hunxhu”, i thotë njëri që është më afër, me mustaqe vesh e më vesh. Ky ulet. “A e di shka?” i thotë mustaqemadhi. “Ky halli guhës asht proces i gatë… Kta politikant tonë s’kanë me mujt  me e zgidhë kët problem. Bile-bile, ma merr menja mu se njerëzit e partive joshqiptare majspari kanë me na çu neve me fol n’guhë t’tyne nëpër shpitë tona, se sa çi ata e msojnë shqipen pak, sa për dy a tri fjalë çi u duhen për zyra. Unë e kam n’kolektivin tonë n’katun veç ni sekretar shkolle pej tyne çi punon tridhetë e pesë vjet midis shqiptarve, hu vet, e hala mirdita s’ka thanë kurr. Po lenje kët punë, allahile! Se për këtë problem duhet me punu partitë, fakultetet, akdemitë…. Kta çi i kemi n’politikë… e besa edhe n’akademia… Nuk e di… Na veç thejna krane badihava”.
“Kamarier, pesë çaja!”
“Valla, çeshtu tha”… vazhdoi ai që rrinte në këmbë pak më parë. Masanej, hala ma keç, kshire se shka tha…
“Shka tha bre?”
“Po u tha makedonve me ba sa ma shum thmi!… E ki kta n’gazeta…”.

“A e di shka”? iu drejtua mustaqemadhi. “Po a mos prite ti aj me menu për t’ardhmen tonë”?

Për ne duhet t’menojnë partitë tona, institucionet tona, akademitë tona. Mediumet tona. Ti kshire niherë, as n’televizionet tona nuk ki naj lajm t’hajrit. Krejt lajmet janë për Strumicë, për Shtip, për Xhevxheli, për Beograd… Besa për Beograd fort se! Asni lajm s’e ki se shka dreçin bahet me at xhyxhin e Dik Martit… Na s’e dimë se si rrnojnë katunart tonë n’Derven, po e dimë se ça bahet n’Kragujevc e n’ katunet e Strumicës… Pse a mos prite ti dishka t’hajrit me ta thanë premieri e ministrat e tina për ne, a? A mos prite me t’thanë televizijat e tyne diçka për ne, a? S’e thonë lajmet e Prishtinës e t’Tiranës e po t’i thonë kta çi janë renitë t’tanë n’rreshtin e partisë s’kryeministrit e çi kanë krushqi me Beograd!…” A e di shka?, shtoi mustaqemadhi. “Mos kshir bre lajme! A i ki sytë? I ki? A i ki ment? I ki. Katuni çi shihet kallauz nuk do”!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button