Ahmeti në Saraj: Ideja e BDI-së nuk synon të frikësojë maqedonasit!

Kreu i BDI-s Ali Ahmeti fushatën parazgjedhore sonte e zhvilloi në fshatin Saraj të Shkupit. Ahmeti me këtë rast theksoi se shqiptarët gjatë zgjedhjeve të së dielës demonstruan ndërgjegjësim politik me mospjesëmarrjen e tyre gjë që në fakt paraqet përkrahje të idesë kombëtare të kandidatit konsensual, që parashtroi BDI.

“13 prilli për shqiptarët ishte një plebishit dhe vendim i rëndësishëm i shqiptarëve. Më 27 prill kemi votim për kandidatë për deputetë dhe lista për president. As njërin e as tjetrin, sepse shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre politikë. Kjo ide është si ortek dhe nuk ka forcë që ta ndalë. Në mos sot, nesër do të bëhet, pasi as ne nuk kemi të drejtë të shkelim mbi plebishitin e shqiptarëve. Ata janë për një president konsensual dhe e dëshmuan këtë edhe dje. Nuk ka projekt që vendoset në tavolinë dhe që nuk ka zgjidhje, duhet vetëm ta ndash mendjen – a do të kryejmë punë apo do të bëjmë hajgare”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së, tha më pas se, “nuk heqim dorë nga ideja e presidentit konsensual pasi asgjë e keqe nuk do t’i ndodhte shtetit nëse një institucion i caktuar drejtohet nga shqiptarët”.
“Ideja për një president të pajtueshëm për palët që kanë legjitimitet është ide mbipartiake, është ide që mendohet që shqiptarët të bëhen edhe më të rëndësishëm si element konstituiv dhe shtetformues në hapësirat e veta ku kanë jetuar dhe jetojnë edhe me shekuj të tërë. Nuk është ide siç mund dikush ta quajë ‘bryma e mëngjesit’, që me të rënë dielli ta heqë. Ajo ide është menduar mirë dhe është hedhur në kohë të duhur që shqiptarët të ndjejnë edhe më shumë përgjegjësinë, të ndjejnë edhe më shumë se ky vend është edhe i tyre, është i të parëve të tyre që aq shumë e kanë e dashur”, theksoi Ahmeti.

Ai sqaroi se, ideja nuk ka qëllim të frikësojë e shantazhojë maqedonasit, porse kërkon të forcojë lidhjen mes dy komuniteteve më të mëdha.

Lajme të ngjashme

Back to top button