fbpx

Prindërit e fëmijëve me hendikep ngrisin tenda para Kuvendit të Maqedonisë

Derisa Kuvendi i Republikës së Maqedonisë tashmë në ditën e 15-të është duke mbajtur vazhdimin e seancës konstituive për formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, si kusht për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, dhjetëra prindër me fëmijët e tyre me aftësi të kufizuara kanë vendosur tenda në parkun përballë Kuvendit për të shprehur revoltën e tyre ndaj problemeve të pazgjidhura me të cilat përballen, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky lloj tubimi mbështetet nga disa shoqata civile që merren me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ndërkohë kërkojnë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për këto kategori personash, përfshirë përkrahjen ligjore dhe institucionale për aftësim dhe kujdesje të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas tyre, shteti i Maqedonisë nuk ka kapacitet për trajtimin e disa sëmundjeve, mungojnë qendra për përkujdesjen e personave që vuajnë nga disa sëmundje të rralla, si dhe siç thonë ato, nuk mundëson fonde për trajtimi në shtetet e jashtme.

Një nga organizatorët e këtij tubimi, Zoran Mijallkov nga Shoqata “Zemra të lidhura”, apeloi që deputetët e Kuvendit të punojnë në interes të qytetarëve dhe të përshpejtojnë procesin e formimin të qeverisë së re, ndërsa një nga prioritetet e asaj qeverie, siç kërkoi ai, “të jenë hapat që duhet të ndërmerren për përkujdesjen e personave me aftësi të kufizuara”.

“Këtu jemi tubuar prindër nga disa kombe të ndryshme. Kur ne këtu mundemi të bashkohemi të gjithë bashkarisht pavarësisht përkatësisë etnike, atëherë besoj se mundet të bashkohet edhe e tërë shoqëria jonë. Apelojmë tek 120 deputët e Kuvendit të Maqedonisë se ata janë deputetët tanë, pavarësisht përkatësisë etnike apo partisë në të cilën janë. Ata nuk qëndrojnë aty për interesin e tyre personal, por për të na mundësuar neve një jetë më të mirë”, deklaroi Mijallkov për AA.

Mijallkov thekson se tendat i kanë ngritur mëngjesin e sotëm dhe do të qëndrojnë para Kuvendit deri pasditen e të shtunës, mirëpo nëse vonohet formimi i qeverisë së re ata do të tubohen përsëri edhe më masovikisht. Ai shtoi se qëllimi i ngritjes së tendave është që të ngritet vetëdija e publikut dhe të merren parasysh kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me kujdesin e personave me aftësi të kufizuara.

Ndryshe, në seancën konstituive të Kuvendit të Maqedonisë për debatin mbi formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve janë paraqitur për fjalim 51 deputetë, prej të cilëve këto 15 ditë vetëm shtatë prej tyre kanë shfrytëzuar të drejtën e fjalës. Kjo seancë filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre për shkak se nuk ishte siguruar shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button