KE: Gazetarët u ekspozohen presionit dhe auto-censurës

Gazetarët në Evropë u ekspozohen dhunës dhe presionit, thuhet në raportin e Këshillit të Evropës.

Në raport thuhet se gazetarët evropianë u ekspozohen përzierjes së paarsyeshme në punën e tyre, që rezulton me frikë dhe auto-censurë.

“Çdo i treti nga gjithsej 940 të anketuarit në anketë ka deklaruar se gjatë tre viteve të fundit ka qenë viktimë e dhunës fizike për shkak të veprimtarisë profesionale. Gazetarët (69 për qind) shpesh janë viktimë të kanosjes fizike dhe fyerjes”, thuhet në raport.

Në vendin e dytë (53 për qind) gazetarët ballafaqohen me kërcënime përmes internetit – sulme personale ose shpifje. Gjysma e gazetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë qenë nën presion të grupeve të interesit, 46 për qind kanë fituar kërcënime fizike, ndërsa 43 për qind janë ballafaquar me presion nga grupe politike. Gazetarët shpesh janë viktimë edhe të ndjekjes (39 për qind), si dhe të presionit nga policia (35 për qind).

Përafërsisht tre e katërta e gazetarëve kanë deklaruar se nuk janë të mbrojtur nga ndjekja, ndërsa gjysma mendojnë se burimet e tyre nuk mund të mbrohen. Çdo i pesti gazetar ka qenë viktimë e vjedhjes ose i janë marrë mjetet për punë, ndërsa një nga pesë gazetarë është frikësuar me paraburgim ose proces gjyqësor.

Rastet me dhunë fizike ndaj gazetarëve janë më të shpeshta në Kaukazin Jugor dhe në Turqi, por raste të tilla janë shënuar edhe në vendet e Bashkimit Evropian de në shtete të cilët nuk janë anëtare të bllokut.

Gjysma e të anketuarve janë gazetarë me përvojë mbi 15 vjet.

Në raport thuhet se gazetarët më së shpeshti u ekspozohen presionit psikologjik (60 për qind), presionit përmes internetit (57), presionit nga persona të caktuar (51), presionit nga grupe të interesit (45), dhunës fizike (41). Çdo i treti gazetar ndjen kërcënim për familjen dhe miqtë.

Hulumtimi tregon edhe se niveli i auto-censurës midis gazetarëve në Evropë është në nivel të lartë. Çdo i pesti gazetar ka qenë nën presion të shkruajë tekst “të përshtatshëm” për redaktorët, ndërsa çdo i treti ka qenë nën presion ta “zbusë” tekstin. Çdo gazetari të katërt i është sugjeruar ta fshehë informatën, ndërsa 15 për qind – të heqin dorë nga storjet.

Rreth 40 për qind e gazetarëve kanë deklaruar se tentimet për presion e kanë rritur rezistencën e tyre kundër censurës, pa marrë parasysh se nëse është e imponuar ose është auto-censurë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button