“Romeo dhe Zhulieta” bashkon artistët shqiptarë me ata serbë

Vepra e famshme e Uilliam Shekspirit, “Romeo dhe Zhulieta” do të vërë në një skenë akëtorë të njohur serbë dhe shqiptarë nga Kosova, nën udhëheqjen e aktorit dhe regjisorit serb, Miki Manojloviç.

Aktorët kanë nisur tashmë përgatitjet e tyre në teatër. Projekti do të financohet nga Zyra për Integrim me qendër në Beograd dhe nga Qendra Multimedia me qendër në Prishtinë.

Detajet e projektit i bëri publike në një konferencë për shtyp në Beograd dramaturgu shqiptar, Jeton Neziraj dhe nga aktorët serbë Anita Mançiç dhe Goran Jevtiç.

“Seleksionimet janë mbajtur tashmë në Prishtinë dhe rreth 71 artistë nga ky qytet, nga veriu dhe jugu i Mitrovicës dhe nga Shkupi aplikuan, që do të thotë se kjo ide është mirëpritur”, tha Manojloviç.

“Mendoj se është e rëndësishme dhe e dobishme që të zgjerojmë rrethin e integrimit në qytetet tona, kombet dhe fqinjët”, vazhdoi ai.

“Kjo pjesë do të luhet në serbisht, shqip dhe anglisht dhe premiera do të mbahet në Beograd dhe Prishtinë nga fundi i vitit dhe më pas do të luhet në skenat e vendeve të tjera të Ballkanit” theksoi Manojloviç.

Neziraj tha se projekti ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të artistëve. Njëkohësisht ai shprehu kënaqësinë që kjo tragjedi do të vihet në skenë edhe në Beograd./Start/

Lajme të ngjashme

Back to top button