OSBE/ODIHR: Nuk u siguruan kushte të barabarta për garë zgjedhore

‘Të lira dhe të administruara në mënyrë efikase’, kështu i cilësoi misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR zgjedhjet presidenciale të 13 prillit.

Procesi i regjistrimit të kandidatëve ka qenë gjithëpërfshirës, ndërkaq kandidatët kishin mundësi ta udhëheqin fushatën në mënyrë të lirë, vlerësoi shefi i misionit të OSBE/ODIHR, Gert Arens.

Nga ana tjetër vëzhguesit ndërkombëtare kanë vërejtur mbulim jo korrekt të kandidatëve nga ana e mediave. Ndërkaq gjatë fushatës nuk është respektuar as një nga parimet kryesore të Kodit Zgjedhor, për ndarjen e partisë nga shtetit, ku përshihen keqpërdorimi i resurseve shtetërore për nevojat e partive.

 “Mbështetja e dukshme e Qeverisë ndaj presidentit aktual dhe kandidatit për president nuk e respekton në tërësi ndarjen e partisë nga shteti. Fushata ishte aktive dhe kandidatët kishin agjenda të ngjeshura politike, megjithatë nuk u siguruan kushte të barabarta për garë zgjedhore” tha Geert Hinrich Ahrens, shef i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.

 “Në përgjithësi KSHZ-ja funksionoi në mënyrë efikase dhe shumica e seancave të saj ishin të hapura për vëzhguesit dhe mediat, edhe pse tensionet ishin të dukshme kur disa anëtarë nuk shmangën deklaratat politike. Përveç kësaj KSHZ-ja nuk arriti të komunikojë në mënyrë efektive me Komisionet Komunale Zgjedhore, duke shkaktuar konfuzion lidhur me procedurat”, shtoi ai.

 Nga Këshilli i Evropës ndërkaq e cilësuan si shqetësuese zhvillimin e fushatës në shoqëri të ndara etnike dhe se thirrja e BDI-së për bojkot nuk ndihmon demokracinë në vend.

 ‘Zhvillimi i fushatës në shoqëri të ndarë në baza etnike dhe thirrja nga njëra parti etnike shqiptare drejtuar anëtarëve të këtij komuniteti për të mos votuar është një çështje shqetësuese. Ne gjithashtu kemi hasur raste të votimit të organizuar, si dhe disa parregullsi të vogla procedurale. Këto çështje hodhën një hije mbi atë që ishte një proces kryesisht mirë i realizuar në ditën e zgjedhjeve’, tha Stefan Schennach, përfaqësues i Këshillit të Evropës.
 Votimi grupor si dhe përdorimi i bojës me ngjyrë (marker), në vend të asaj të tejdukshme, gjithashtu u vlerësua si e parregullt, ndërkaq u nënvizua edhe problemi me saktësinë e listave zgjedhore.
 Vlerësimin final rreth procesit të zgjedhjeve presidenciale nga OSBE/ODIHR do ta bëjnë pas raundit të dytë zgjedhor.

Lajme të ngjashme

Back to top button