Asnjë kandidat në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar sot seancën e parë të procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, por pa kandidatë, ndërsa kanë munguar në seancë deputetët e opozitës të cilët vazhdojnë bojkotin parlamentar, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke qenë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon 5 raunde për procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit, sot është ezauruar raundi i parë, edhe pse nuk kishte kandidatë nga asnjë forcë politikë apo grup deputetësh.

Në fillim të seancës, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh se presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit(84 vota). Meta duke iu referuar Kushtetutës, theksoi se në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (71 vota). Sipas kreut të Kuvendit votimi quhet i kryer edhe kur nuk paraqitet asnjë kandidat, kështu që raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë quhet i ezauruar, edhe pse ai është “djegur”.

Në seancën që zgjati vetëm disa minuta, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe Drejtave të Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, Vasilika Hysi, u shpreh se komisioni që ajo drejton gjatë mbledhjes së sotme konstatoi se deri në afatin e përcaktuar asnjë kandidaturë për president të vendit nuk është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas saj, raundi quhet i kryer edhe kur nuk paraqitet asnjë kandidat.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president të vendit i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë kandidat. Raundi i dytë është përcaktuar të zhvillohet më 20 prill.

Kujtojmë se mandati pesëvjeçar i presidentit aktual, Bujar Nishani, përfundon më 24 korrik të këtij viti. Procedurat për zgjedhjen kanë filluar me herët se në zgjedhjet e kaluara, për shkak se Kuvendi i Shqipërisë në maj shpërndahet, pasi do të mbahen më 18 qershor zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Nga ana tjetër opozita vazhdon protestën e saj që prej 18 shkurtit, në çadrën e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë” dhe bojkotin e seancave të parlamentit me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button