Hatixheja

Kur u shpërngulëm në Shkup, ajo fillonte vitin e dytë të studimeve të psikologjisë.
Dhoma ku flija me gjyshen u bë edhe e saj. Në njërin kauç gjyshja, në tjetrin Hati dhe unë. 
Gjatë kthimit në të kaluarën, përjetimet shpesh i lidhim me detaje, duke i nxjerrur nga sirtaret mentale ku kujtimet qëndrojnë të paluara, të paprekura nga harresa: presin aty që t’i shpalojmë në momente dhe të padëmtuara t’i kthejmë ku e kanë vendin.

Kështu më kujtohet se si “këndonim” dua para gjumit, kurse para kësaj ajo kishte ritualin e vet – i lyente duart me “atriks”…kutia e metaltë “atriks” me ngjyrë jeshile. Prej atëherë, aroma e kremit “atriks” më përkujton gjumin e rehatshëm dhe ëndërrat çlodhëse… Posa shtriheshim instinktivisht kthehesha kah kushërira dhe e përqafoja, drejt me thënë kauçi ishte si i ngushtë për të dyjat, ashtu që përqafoheshim edhe për shkaqe praktike dhe së shpejti më merrte gjumi që mbante erë glicerini nga duart e saj me të cilat butas më ledhatonte flokët dhe fytyrën…dhe gjumi me merrte saora, si me merr edhe sot, pa pështjellim majtas-djathtas. 
Kishte flokë të zeza dhe buta që ia preknin supet.

Tre-katër fustane, jo më tepër; më duket se të gjitha i mbante shtrënguar me rryp që ende më shumë ia theksonte belin e hollë poshtë cilit vijëzoheshin kryqet e theksuara, gjithçka sa duhet dhe ku duhet e derdhur nëpër trup (tamam sintagma shqipe “trup i derdhur”).  
Vajzë e familjes punëtore: i ati dhe të tre vëllezërit punëtorë në Teteks.

Derisa jetonim në Tetovë shpesh vizitoheshim, më kujtohet për shembull kur vinin te ne pasdarkave, pinim çaj rusi dhe nëna shpejtonte të sjellë frutat mbi tryezë atëherë kur Zekush daja ishte ndërrimi i tretë dhe duhej të ngritej para ora 22 që të mos vonohej për busin e fabrikës që kalonte rrugës sonë në atë kohë kur fabrikat punonin me kapacitet të plotë – plot familje nxjerrnin bukën prej tyre. Të panjohura ishin tepricat teknologjike, taksistët nga zorti që presin disi t’u kompletohet e drejta e pensionimit, fabrikat dikur me zhurmë, jetë dhe bereqet më vonë u kthyen ne horor-pamjet me xhama të thyer, dyer me dry apo fare pak lëvizje dhe punë aty ku përpara krijoheshin fitimet për të gjithë. E largët dhe si joreale duket koha kur busi i fabrikës i mbushur fund e majë kalonte tre herë në ditë ndanë shtëpisë sonë në Tetovë; pasanikët e ri, të pasuruar në kurriz të të tjerëve arritën më vonë dhe shumë shpejt u bë vonë për të vënë punët në dyzen se e dinë edhe fëmijët se demokracia solli më shumë haos se sa që vendosi rend dhe rregull.  

Rendi që kishte Hati ishte mësim i çdoditshëm, shumë punë dhe shumë rezultate në kohën kur të ishe student/e kishte domethënie të veçantë, ndërsa diploma të katapultonte në rradhët e të zgjedhurve. 

Shkruante poezi lirike e të ngrohtë që reflektonte saktë autoren, pasi as që mundet ndryshe. Më vonë kuptova (e vogël isha dhe muhabetet intime bëheshin në mungesën time) se dashuronte dikend, mandej u martuan, atij i kushtohej ajo bukuri e vargjeve.
Hati ishte maher për menaxhimin e kohës.

Një pjesë të ditës ia kushtonte punëdores, kurse më së shumti më është vragëzuar në memorie se si me nënën time uleshin para termos, buzëmbrëmje dimërore, të dyjat thurrin apo qendisin, kurse nga dritarja mbi “koftorin” duken fjollat e borës tek mbulojnë rrugicat në parkun para ndërtesës, veturat, pullazet – bardhë, krejt bardhë, kurse mëngjeseve apo mbrëmjeve degët dukeshin të shtangura nga akulli, dimrat ishin dimra, ju kujtohet… 

Hati ndihmonte edhe në punët kryesisht të bezdisshme shtëpiake, por ama vetëm para se nëna të kthehej nga puna pasi e kishte të ndaluar me ligj të humb kohë me resorin e nënës. 
Shikonim bashkë televizion, në doza të lejuara, edhe një ligj nga ato të sertët në familje, asokohe familjet bazoheshin mbi norma dhe autoritete prandaj më të shëndosha ishin se këto të sotmet kur, tamam si në atë proverbën shqiptare “nuk dihet kush është koka, e kush qafa”…Pra, përcjellnim vetëm lajmet qendrore në 19,30, kronikën televizive në gjuhën shqipe pasdite dhe serialin Dinastia të hënave në 21,05 në Programin e dytë. Lajmet i përcjellja më shumë për shkak se na mbledhnin të gjithëve para ekranit, kurse baba, shpesh protagonist apo dëshmitar i ngjarjeve politike, na bënte të qeshim me komentet e tij nga dora e parë. Më vonë erdhën kohëra kur nuk qeshej fare derisa shkonte Ditari se shumë funkcionarë shqiptarë u gjetën në shënjestër, s’dihej kujt kur i vjen rradha për ta viktimizuar, zorzaman, dhe as baba bënte batuta e as ne kalamejt nuk gëzoheshim më kur e shihnim në ekran se edhe aty ashtu si para ekranit mbante fytyrën e ngrysur. Mandej prap të nesërmen nga fillimi, saktë në ora 19,30 se mjaft kolegëve të tij nga majat politike, mos licitoj tash me emra, pikërisht përmes ekranit u dërgohej katil-fermani për përjashtim nga Partia, mandej nga puna, ndoshta edhe nga banesa shtetërore, ashtu shkonte rendi për ata që nuk e “luftonin sa duhet nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar”, gjepura të tilla, trysni psikologjike. Nëna poashtu ishte në shënjestër për diferencim “se shumë i mbronte nxënësit” por arrinte të ruajë disponimin, për fat, se kur gruaja qesh edhe shtëpia qesh. Baba plakej para kohe dhe zbardhej si brenda natës, ashtu më dukej, teksa priste t’i vijë rendi për eliminim politik, kurse unë në vehte mezi prisja të vinte demokracia se më kishte thënë tezja Gjyner se demokracia don të thotë që flet çka të duash dhe asgjë nuk të gjen! 

Gjëra tragji-komike ndodhnin, një lloj teatri absurd, do u rikthehem në tjetër tekst ku do jenë më komod se këtu. 
Por t’i kthehem më mirë kushërirës sime dhe xhonglimit të saj me shumë topa, tashmë u deklarova se ishte mjeshtër i menaxhimit me orët, nuk i shkonin kot…
E lexonte Bazarin që e blenim rregullisht (që ende është, mendoj, revista më e begatë për femra, anise kohëve të fundit e modernizuan si tepër) ndërsa gazetat ditore që kuriri i Qeverisë na i sjellte në mbrëmje të posadala nga shtypi i kalonte përciptazi, vertikalisht, para se të vetmohej në dhomën e saj për të mësuar edhe pak para se t’u vijë koha lutjeve pa zë, “atriks”it dhe zhytjes në gjumin e merituar..

Më kujtohet se ato tri vjet të hënat ishin posaçërisht të hareshme. Hati kthehej nga fundjava në Tetovë, me muhabete nga vendlindja, mezi prisja t’i bjerë ziles.
Thotë se duke jetuar te ne, ka mësuar shumë nga nëna ime.
Si shtrohet tavolina, gjithçka në vend të vet, si rradhiten pirunat nëse janë më shumë pjata, cili nga mysafirët ku e ka vendin konform gjinisë, moshës dhe do kritereve tjera që i kujtoheshin nënës nga ca orë praktike që si vajzë e pamartuar ajo dhe motrat i kanë marrë nga daja i tyre Maleziu, profesor i filozofisë.

Si pritet mysafiri, çka duhet bërë me fjalë e me gjeste që ai nga momenti kur ia hapim derën të ndjehet si personi më i dëshiruar…nëna mbante tërë kohën e qëndrimit të mysafirëve, bile edhe kur rrinin me netë të tëra, buzëqeshjen në fytyrë dhe çka është më interesant, buzëqeshja e saj monumentale ishte natyrale, asgjë e sforcuar.

Kurse dita vlen aq sa kemi arritur t’u buzëqeshim njerëzve që i duam, paj edhe atyre që pa fajin e tyre shumë e shumë nuk i duam. 
Dita vlen aq sa i buzëqeshemi vetes dhe jetës, aq sa mundemi të ndjellim ndjenjë të mirë edhe tek ata që atë ditën “nuk e kanë bash ditën”.
Hati thotë se ky është lekcioni më i vlefshëm që ka mësuar nga Nurija, e që e përsërit ditë për ditë.
Prandaj s’e harron.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button