Martino drejt largimit, Barca mund të drejtohet nga Klopp

Edhe triumfi në finalen e Kupës së Mbretit të Mërkurën përballë Realit të Madridit do të ishte i pamjaftueshëm për të ndryshuar të ardhmen e raporteve mes Gerardo Martinos dhe Barcelonës, që duken të destinuara për t’u shkëputur në fund të sezonit, edhe pse trajnerit argjentinas i mbetet edhe një vit tjetër në kontratë.

Nisur nga situata aktuale, Martino duket se nuk dëshiron të qëndrojë më e po ashtu edhe drejtuesit e Barçës duket se nuk kanë ndërmend ta mbajnë, kështu që klauzola me penalitetet për prishje të njëanshme të kontratës mund të zgjidhet me mirëkuptimin e të dyja palëve pa patur asnjë kosto, qoftë për trajnerin e qoftë për klubin. Me mundësinë e largimit të Tatas në fund të sezonit, zinxhiri i emrave për ta zëvendësuar ka nisur të ndërtohet, transmeton Supersport.

Opsioni i parë që shfaqet në skenë është Jurgen Klopp, trajneri i Borussia Dortmund, për të cilin ekziston mundësia e largimit nga verdhezinjtë, edhe pse një vit më parë rinovoi deri në 2017-ën. Alternativa tjetër vjen sërish nga Gjermania dhe bëhet fjalë për trajnerin e kombëtares.

Joachim Low është një emër që pëlqehet nga ambienti blaugrana, por gjithmonë nëse tentativat për Klopp do të dështojnë dhe ka shumë gjasa të ndodhë diçka e tillë, pasi emri i trajnerit të Dortmundit flitet si pasardhës i Low te kombëtarja gjermane pas Botërorit të Brazilit.

Megjithatë pavarësisht çështjes së emrave, Barcelona për momentin mbahet e mbërthyer nga pengesa që i kushtëzojnë të ardhmen. Në të parën bëhet fjalë për penalizimin e FIFA-s që mban pezull projektin e sezonit tjetër dhe në të dytën është fati i bordit drejtues nisur nga rezultati në Kupën e Mbretit.

Lajme të ngjashme

Back to top button