fbpx

Maqedoni, një përvojë më ndryshe për studentët e Juridikut

Universiteti i Evropës Juglindore ka realizuar tashmë Konferencën e parë shkencore e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së. Konferenca e organizuar të shtunën, në pjesën solemne të saj, ligjëratë para pjesëmarrësve kishin dy gjykatës, Xhemali Saiti – gjykatës në Gjykatën Supreme të Maqedonisë dhe Ali Aliu – gjykatës në Gjykatën e Apelit të Gostivart, të cilët së bashku me dy panelistët dekanen e Fakultetit, doc.dr. Emine Zendeli dhe prof.dr. Besa Arifi, para pjesëmarrësve diskutuan rreth sfidave me të cilat përballet sistemi gjyqësor në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.

Në fjalën e saj hyrëse, dekania e Fakultetit Juridik, prof. Zendeli, deklaroi se ideja e organizimit të kësaj Konference, e para e këtij lloji në Fakultetin Juridik të UEJL-së, ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues tek studentët, sjelljen e një fryme të re hulumtuese dhe përgatitjen e studentëve që në të ardhmen të jenë të gatshëm të konkurrojnë dijen akademike globale. “Unë besoj dhe uroj që kjo Konferencë të bëhet traditë e përvitshme, ndërsa në një të ardhme të afërt të shndërrohet mbase edhe në një Konferencë shkencore studentore ndërkombëtare, ku do të merrnin pjesë studentë nga vendet e ndryshme dhe do të shkëmbenin idetë, do të shpërndanin dijen, përvojat dhe kualifikimet në fushat e ndryshme të së drejtës gjë që do paraqiste edhe një hap të madh ne funksion të ndërkombëtarizimit te Fakultetit Juridik si dhe ndërkombetarizimit dhe globalizimit të sistemit të arsimit të lartë në përgjithësi”, u shpreh prof. Zendeli.

Në ndërkohë, gjykatësi Saiti në ligjëratën e tij para pjesëmarrësve foli për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, rolin që e luan Gjykata Supreme dhe për vendimet që ajo i merr si dhe për rolin e rëndësishëm që e ka Shoqata e Gjyqtarëve të Maqedonisë. Edhe Aliu foli për sfidat e të qenurit gjykatës, për rëndësinë e ndjekjes së akademisë për gjyqtarë dhe prokurorë dhe për punën e Gjykatës së Apelit në Gostivar.

Ndërkaq, profesoresha universitare Besa Arifi, njëherësh edhe ligjëruese në këtë Fakultet, foli për lidhshmërinë në mes të edukimit dhe kompetencës me pavarësinë e gjyqësorit duke deklaruar që juristi për të qenë gjyqtar i pavarur, duhet të ketë kompetencë të lartë që e merr përmes edukimit cilësor, duhet të ketë diapazon që gjerë të njohurive dhe të mos jetë i izoluar në mendime dhe për rëndësinë e ndërtimit të integritetit të pakompromis me të cilin do ti bëjë ballë presioneve politike. Sipas koordinatores së kësaj Konference, PhD asistentes Vedije Ratkoceri, të drejtë pjesëmarrjeje në këtë Konferencë me punimet e tyre shkencore kishin edhe studentët e ciklit të dytë – master dhe të ciklit të tretë – PhD, të cilët hulumtimet e tyre i prezantuan të ndarë në tre sesione, varësisht nga lëmia e punimeve: sesionin penal, sesionin civil dhe sesionin ndërkombëtar.

Prezantimet u pasuan me pyetje, debat dhe konkluzione shkencore, të cilat siç tha për KOHA Ratkoceri, shpresojmë se do t’u ndihmojnë shkencëtarëve të rinj në punën e tyre të mëtutjeshme hulumtuese. Vedije Ratkoceri gjithashtu ka paralajmëruar se punimet e prezantuara në Konferencë, pas përfundimit të procesit të vlerësimit të tyre të dyfishtë nga profesorët e Fakultetit Juridik, do të botohen në Librin e Procedimeve të Konferencës dhe me këtë – studentët tanë do të japin një kontribut solid në zhvillimin e shkencës juridike. Në këtë Konferencë morën pjesë studentë nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët shkëmbyen dhe krahasuan eksperiencat e tyre shkencore në lëminë juridike. Pas përfundimit të sesioneve, pjesëmarrësve të Konferencës iu ndanë certifikata për pjesëmarrje, kurse profesorëve të cilët moderuan sesionet nga lëmia e tyre, certifikata në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button