Ndreu: Ndjehemi të përgjuar, SHISH bën lojë të pistë

Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, kërkoi dje nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, që të raportojë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për mënyrën se si ka dalë mesazhi nga telefoni i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Mesazhi që u publikua në një nga mbledhjet e fundit të Komisionit hetimor për Lëvizjet në Policinë e Shtetit, pikërisht në seancën kur dëshmoi ministri Tahiri, ngriti dyshime në radhët e deputetëve socialistë se ministrat dhe deputetët përgjohen. Anëtari socialist i Komisionit hetimor për Policinë, Pjerin Ndreu, deklaroi dje se ky rast faktoi një shqetësim të vjetër të PS, edhe kur ishte në opozitë se shërbimet sekrete përgjojnë politikanët.

Sipas tij, Shërbimi Informativ Shtetëror po bën një lojë të pistë, duke përgjuar qeverinë dhe duke furnizuar me informacione opozitën. “Kam të drejtë të dyshoj se SHISH po bën një lojë të pistë. Është e pajustifikuar që në një komision hetimor të dalë një SMS që vjen nga telefoni i ministrit të Brendshëm apo një informacion që vjen nga komunikimi i SHISH me kryeministrin e asaj kohe”, deklaroi Ndreu pwr “Vizion Plus”. Sipas tij, mesazhi i ministrit të Brendshëm do të jetë një prej çështjeve që kreu i SHISH, Visho Ajazi, duhet të sqarojë kur të raportojë në Komisionin e Sigurisë, duke theksuar se pas kësaj seance dëgjimore do të ngrihet edhe grupi i kontrollit për Shërbimin Sekret.

“Na lind e drejta ne që të kërkojmë shpjegime për daljen e disa të dhënave, që në fund të fund kanë dalë nga atje”, shpjegoi anëtari i Komisionit hetimor për Lëvizjet në Policinë e Shtetit. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, Komisioni hetimor për Policinë kishte të ftuar ministrin e Brendshëm, Tahiri.

Ndërsa ai ishte duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, publikoi një mesazh telefonik, që sipas tij, kryeministri Edi Rama ia kishte dërguar ministrit Tahiri. Në këtë mesazh Tahiri kritikohej për rezultate jo të mira të punës me kriminalitetin dhe sigurinë. Ministri e mohoi që ky mesazh t’i ishte dërguar atij nga kryeministrit, por këtë mesazh ai ua kishte dërguar bashkëpunëtorëve të tij.

“Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti”, janë disa nga rreshtat e SMS, që u bë publike nga deputeti i PD-së, Flamur Noka. Edhe kryeministri më pas e quajti shpifje atë mesazh.

Komisioni hetimor për Policinë e Shtetit mbylli dje zyrtarisht mandatin e dhënë nga Kuvendi, por për shkak se hetimet ende nuk kanë përfunduar, pritet që në seancën e së enjtes mandati i tij të shtyhet duke iu dhënë kohë anëtarëve të dëgjojnë edhe 4 dëshmitarë si dhe të hartojnë raportet përfundimtare. /Shqiptarja/

Lajme të ngjashme

Back to top button