Hipokrizia e partive politike shqiptare të Maqedonisë

Propagandat ditore partiake parazgjedhore, në media, në rrugë dhe kudo tjetër, më detyruan dhe më dhanë një impuls për të shkruar një shkrim në lidhje me gjërat që kanë ndodhur më parë deri në gjendjen e sotshme të politikës shqiptare në Maqedoni. Këto ditë jemi deshmitarë për një luftë votash, ndërmjet partive qeveritare dhe atyre opozitare, dhe secila përdor forcën e vet, pra mjetet e tyre manipuluese për t’i nënshtruar qytetarët sa më shumë në “klikën” e tyre. Trushpërlarja dhe manipulimi që po përdorin sot partitë politike është shumë e vështirë të kundërshtohet nga njerëz që me vite e kanë duartrokitur atë, edhe pse nuk panë hajr nga ajo. Disa prej tyre hiqen sikur nuk i kuptojnë “majmunllëqet” e tyre, për shkak se janë të varur nga ajo, apo se për shkak iu lëpihen sa për të fituar punë, apo disa prej tyre i kuptojnë mirëpo përsëri veprojnë ashtu si e përmenda më herët.

Sot mblidhen të rinjtë nëpër mitingje dhe shtabe të partive, për të cilat investohet në mënyrë perfekte, për këtë punë janë të zotët, dhe qytetarët janë thjeshtë dhent e tyre, të mashtuar nga ujku i mbuluar me kostume sikur një prej tyre. Udhëheqja e deri tanishme në Republikën e Maqedonisë, nga dy palët shqiptare dhe maqedonase, ka qenë udhëheqje mizore që ngjan me modelin e udhëheqjes komuniste, apo sundimeve të tjera të perandorive të rrepta, ku liria e fjalës nuk respektohej fare. Ky sundim mizor, që po i shtyp qytetarët e mjerë, dhe shpëton nga rënia e saj falë propagandave masive dhe bombastike që i përgadisin për çdo zgjedhje, ku shfrytëzohen milionat për t’ua mbushur mendjen qytetarëve se ne kemi qenë gjithmonë për ju apo kemi qenë ndihmës për ju, kurse më tutje nëse na votoni do të jemi “megandihmës”. Buxheti që nuk përdoret për t’i plotësuar interesat e qytetarëve, një pjesë e saj përdoret për ta kryer procedurën e propagandës (billborde, shtabe, pilaf nëpër mbledhje, etj). Pastaj vijojnë propagandat e stilit të “jo presidentit të njëanshem” apo “u tha u bë”. Ata jo që e kanë hallin se sa me të vërtetë qenka presidenti i njëanshem, por kjo është thjeshtë politikë e tyre për ta ruajtur lidershipin dhe marrëdhënjet me qeveritarët e tjerë të palës tjetër.

Thua ti se këta qenkan aq hulumtues të mirë dhe të drejtë, dhe e nxorën këtë lloj konkludimi që nuk duhet votuar presidenti. Para disa ditësh lexova nje skandal, ku bëhej fjalë për “mutasiteb” lidhjen e shoqatave joqeveritare turke në Maqedoni, ku një injorant si Tahsim Ibrahimi, kishte shpreh në një tekst, përkrahjen e tij ndaj Gjorgje Ivanovit. Po mirë thash unë, po këto partitë tona çfarë bënë deri sot? Të gjithë filluan duke sharë turqit, mirëpo nuk menduan se edhe partitë tona e bënë të njejtën gjë, vetëm se këto tonat e bënë në mënyrë indirekte.

Unë si një apolitik që po shkruaj tani, kam shkruar një shkrim kritik ndaj partive shqiptare, ku i gjykoj gjërat me neutralitet nga animi i ndonjë partie. Qëllimi i shkrimit është të tregoj partitë politike shqiptare që abuzojnë me fe, komb dhe me sinqeritetin e popullit. Unë nuk do të thellohem shumë se cila parti ka bërë më shumë për popull, apo cilat janë dështimet e tyre, por qëllimi im është të tregoj abuzimet e tyre të ndryshme, dhe që shpëtojnë lëhtë pa fituar vëmendjen e popullit, për ti kritikuar ata. Unë personalisht i shoh me sy kritik të dy partitë rivale më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, si parti që rrallë herë e kanë perfaqësuar popullin shqiptarë siç duhet. Rrallë herë populli i donte ata më të vërtetë, por në shumë raste, ose ata kishin lidhje të ngushtë me ata, ose ishin të varur, ose silleshin rreth tyre për punë, ose i perkrahin ata në mënyrë që ta shohin keq partinë tjetër qe e urrejnë. Nëse ne sot e bëjmë një anketë, shumë prej shqiptarëve, por edhe prej maqedonasve, nuk i duan partitë e tyre me të vërtetë. Pra, shumë vendime ndodhin për shkak të inatit. Prandaj dhe kur vie koha e zgjedhjeve, ndodhin incidente të ndryshme, meqë populli të vepron në bazë të emocioneve, në shërbim të atyre që organizuan incidentit. Kur edhe partitë shqiptare garojnë në fushatat zgjedhore, ata më shumë mundohen ta poshtërsojnë njëri tjetrin, se sa ta fitojnë influencimin në politiken e Maqedonisë. Të dyja akuzojnë njëra tjetrën për padrejtësi ndaj popullit shqiptarë dhe për krime, ama shpejtë harojnë “Monstrumin” dhe Brodecin. Ndërkohë që PDSH’ja akuzon BDI’në për ofendimet nga “projekti 2014”, ata harojnë se vet ata e votuan atë projekt kur ishin në pushtet. Apo heshtja e BDI’së për çështjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe kështu me rradhë, akuza pa fund. Dikush luan tek ne politikën e parimit “përça e sundo”, prandaj tek partitë tona nuk bëhet fjalë për unifikim dhe konsensus.

Për ta bërë qytetarin entuziast dhe të bërtas si i çmendur nëpër mitingje për një parti të caktuar, liderët e partive shpesh herë i perdorin ndjenjat e tyre fetare dhe kombëtare. Pra perdorimi i dashurisë ndaj kombit apo nacionalizmit dhe përdorimi i fesë, ndaj të cilave shqiptarët janë shumë sensibël. Kur them nacionalistë, e kam fjalën për ata që kontributin dhe produktivitetin e tyre gjatë të qenurit në pushtet, mundohen ta argumentojnë me përrallat se ku dhe si flitet gjuha shqipe, ku është ngritur flamuri me dy krena, thua ti se jemi në kohë lufte, dhe kjo dëshmon se ne ende paskemi luftë iluzionare flamuri dhe jo “luftë” për të drejtat elementare, për të drejtat që ne si popull shqiptarë kemi vendin e dytë në mazhorancë në Maqedoni duhet të kemi barazi me maqedonasit. Me kot mundohet ti mbron Bujar Osmani kur thot se 30 % e investimeve bëhen tek shqiptarët, për ta kundërshtuar këtë statistikën e tij unë duhet ta mar atë për dore dhe ta bëjmë një shëtitje në Bit Pazar, Çairçankë, Gazibabë dhe pastaj të kalojmë nëpër lagjen Avtokomandë, Aerodrom, Karposh dhe shihet në mënyrë drastike dallimi i urbanizimit. Sot, të rinjtë nuk kanë një fakulltet të mirëfilltë për studime, sepse jo çdokush ka kushte të studion në privat, dhe detyrohen të shkojnë në UT’jat e politizuara deri në kulm, me konviktet e tyre të premtuara prej kohësh. Po edhe aty të duhen para sepse kërkohen para për të fituar nota nga profesorët plagjuaristë e injorantë, që e kanë mendjen vetëm tek paraja. Po të ishin ata atdhedashës dhe nacionalistë, do të kishin vendosur ndonjë Pjetër Bogdan, Jusuf Bager apo hero të tjerë të nacionalistëve në qendër të Shkupit, si pjesë e projektit 2014, por jo, Car Dushani edhe pse nuk është pjesë e historisë maqedonase, ai qëndron aty. Ata si nacionalistë që shiten duhet ta rrëzonin, por nuk munden sepse marrëveshjet e shumta i detyruan ta ulin kokën kur kalojnë ka mahalla e Dushanit, sepse forcat policore e mbrojnë atë natë e ditë. Ata si nacionalistë do të duhej ta vendosnin ndonjë flamur shqiptar në Kalanë e Shkupit, meqenëse e konsiderojnë atë të ndërtuar nga ilirët. Ata si nacionalistë që shiten do të duhej ta largonin gjuhën maqedonase nga klasa e dytë, sepse nacionalizmi këto gjëra i konsideron për herezi. Por jo, këta nacionalistë dijnë vetëm të të shpallin tradhtar të kombit nëse del në votime për president. Kush i ka autorizuar ata që të ma përcaktojnë mua kombësinë?

Këta njerëz janë herë nacionalistë herë fetarë. As mish e as peshk. Ali Ahmeti në një prej mitingjeve, ndërpren fjalimin e tij kinse për respekt ndaj ezanit(me inspirim nga Sali Berisha). I njejti person që thot se në xhenet nuk shkohet me namaz dhe me agjërim, por shkohet duke e ndihmuar popullin sikur xhaxhi Ali. Pra përdoret nacionalizmi tek një popull që shumë prej tyre lehtë mashtrohen pas flamurit. Opcioni tjetër që përdoret për propaganda partiake, është përdorimi i fesë. Meqenëse shqiptarët e Maqedonisë, kanë qenë në një ambient ku nuk është de-fetarizuar nga faktoret e ndryshëm, si krijimi i dy shteteve shqiptare, ku pushtetarët laikë shqiptarë, muslimanët i shohin si një bllokazhë për importimin e modernizimit. Shqiptarët fetarë, shpesh herë mashtrohen nga “hutbetë” që i mbajnë disa liderë e politikanë qeveritarë dhe opozitarë, duke manipuluar me fjalë si “Allahu Ekber”, “këtu është vendi i xhamive dhe jo i kishave”, ndërprerja e predikimit “madhështor” të Alisë për respekt ndaj ezanit, etj. Të gjitha këto janë mjete propagandistike që ndërmeren për tu përshtatur me ideologjitë që populli i beson, në mënyrë që ata ti duan. Promotorët e ndryshëm, dhe aktivistët e ri që sipas tyre janë “liderë të ardhshëm”, i përdorin të dyja opcionet. Shumë prej këtyre aktivistëve prapa shpine i shajnë ata, dhe e pranojnë mafiozllëkun, tenderizmit, haraçet e tyre, ata prapë ju shkojnë pas sepse thonë  “do të fitojmë punë” apo “me hup kohë, me i mar 500-1000 den”(edhe pse jo gjithkushë paguhet, një pjesë e mirë e tyre nuk marrin gjë). Kur ata thonë ne e kemi rininë me vehte, dihet mirë se si e kanë.

Këta pseudofetarët, po të ishin ata me të vërtetë fetarë sa tregohen para zgjedhjeve, ata do të bënin diçka në lidhje me Burmali xhaminë, ku ndërkohë në hyrje të qendrës së Shkupit ke kishë ortodokse, dhe me pas në zemër të qendrës së Shkupit po ndërtohet dhe një kishë e re ortodokse. Po të ishin ata me të vërtetë fetarë, do ta rikthenin lëndën e edukatës fetare nëpër shkolla publike, të cilën e patëm vetëm gjatë një viti para disa viteve, dhe me pas u eliminua. Hoxhallarët shqiptarë të Maqedonisë, duhet të ngriten në këmbë dhe ta denoncojnë hipokrizinë e politikanëve shqiptarë që abuzojnë me fe. Të politizohet feja është gjëja më e ulët që mund t’ia bësh fesë. Ky konotacion i gabuar që i bëhet fesë, është ofendim për të gjithë besimtarët muslimanë, por problemi qëndron se sa janë të vetdijësuar ata në lidhje me qëndrimet e tyre? Pavarësisht se sa anti-islam ishte Arben Xhaferi, mirëpo ai nuk u tregua hipokrit të bëj pazar me fenë islame siç bënë kolegët e tij, mirëpo ai e bëri publike islamofobinë e tij me dallim prej politikanëve të tjerë, të cilët tregohen si besimtarë vetëm sa për ti rreshtuar shqiptarët në votime. Idiotizmi tjetër është dhe kur një deputet para një kohe, del dhe thot “rretho numër 1, sepse ky numër simbolizon Zotin”. Apo rekllamuesi i kosmodiskave Gjorgje Ivanov, i cili thot se “edhe Zoti ka nevojë për ndihmë në demokraci”. Kjo i bie t’iu përkulesh në dy guj qytetarëve dhe t’iu lutesh aman më votoni se nuk me ze gjumi natën.Po e përmend një fjalë që e kam thënë edhe më parë “ne i votojmë ata që tërë vitin i mallkojmë”. Njëashtu dhe siç thot një thënje se, ne pranojmë samarin por pastaj na vjen çudi kalërimi. Zoti thot nuk do ta ndryshoj gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë vehten e tyre, përderisa ata nuk iu nënshtrohen partive që nuk kanë dobi prej tyre, por i keqperdorin votat e tyre.

Të dalim tani te konkurenti për president Stevo Pendarovski. Sipas mendimit tim, ai duket si një njeri i thjeshtë, një profesor i sjellshëm, nuk duket se është nacionalist, nuk manipulon me popullin e tij maqedonas me nacionalizëm, duket si një njeri që kërkon paqe, kërkon bashkëjetesë ndëretnike, ndërkohë që partitë e tjera bëjnë thirrje në mënyrë më ekstreme. Flet ndonjë fjalë shqip edhe para kamerave, e jo sikur disa të tjerë që duan të tregohen kinse nacionalistë, dhe e flasin vetëm gjuhën e tyre. Ashtu siç e e tregon një rast shumë të mirë në shkrimin e tij z.Ramadan Ramadani, se kur e kishte parë Stevon në Çarshi, ai shëtitej sikur të ishte në vend të vetin, e jo sikur Gjorgje Kazakhistanov, i cili ecte me shumë siklet. Unë po i pyes tani të gjithë ata që bëjnë thirrje për bojkotim votimeve për president, çfarë të keqe ka që ta votoj Stevon apo Iljaz Halimin? Nëse ka dikush ndonjë spjegim, le të urdhëron.

Unë jam një njeri neutral ndaj partive, që e përkrahi më së shumti opozitën, por jo partitë opozitare, por vullnetit e vërtetë të popullit, që shumë prej tyre kanë frikë ta bëjnë publike. Unë mund ta përkrah ndonjë parti apo individ për ndonjë rast të caktuar, qoftë pozitar apo opozitar, mirpo nuk jam simpatizant i asnjë partie, nuk anoj nga asnjëra anë. Unë iu drejtohem të gjitha partive shqiptare, që nëse duan besimin tonë, dhe tua japim votën, mos të abuzojnë me fe dhe me komb për interesa politike. Mos të politizohen gjëra që nuk duhet politizuar me ta. Ata nuk do të udhëheqin kalifat apo ndonjë Shqipëri etnike, apo perandori mesjetare, që neve të na flasin për ato gjëra, ata duhet të na e dëshmojnë se sa janë të denjë që popullin shqiptarë ta integrojnë sa më shumë, të vijojë sa më shumë progrese dhe jo regrese, dhe të arrijnë në atë shkallë që të jenë vullneti i vërtetë i popullit, e jo vullneti i zorrit dhe presionit.

Lajme të ngjashme

Back to top button