Ukrainë, viktima e të plagosur nga përleshjet

Një polic ukrainas humbi jetën, gjatë përleshjeve të armatosura me aktivistë pro-rusë, në qytetin lindor të Slovianskut, në Ukrainë. Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, tha se “ka pasur shumë të plagosur nga të dy palët”.

Me herët, ushtria ukrainase ndërmori një operacion anti-terrori në Sloviansk. Të shtunën, persona të armatosur me veshje kamuflazhi zaptuan Komisariatin e policisë edhe një ndërtesë të administratës lokale në këtë të qytet, si dhe në Kramatorsk dhe Druzhkovka.

Madje, sipas raportimeve të pakonfirmuara, disa ndërtesa jane plotësisht nën kontrollin e aktivistëve pro-rusë, edhe në qytetet Mariupol dhe Jenakievo.

Protestuesit pro-rusë vazhdojnë të mbajnë të pushtuar, prej një jave, ndërtesën e administratës lokale në Donjeck. Udhëheqësi i protestës në Sloviansk i tha BBC-së se “aktivistët po veprojnë në mbështetje të atyre në Donjeck”.

Gazetarët e BBC-së në Sloviansk thanë se “personat e armatosur ishin të organizuar mirë dhe kontrollonin thuajse të gjithë qytetin. Pika kontrolli ishin ngritur në rrugët kryesore”.

Rusia paralajmëroi më herët, se çdo përdorim force në Ukrainën Lindore do të rrezikonte bisedimet, që do të zhvillohen të enjten në Gjenevë. Shtetet e Bashkuara akuzojnë Moskën se po shkakton trazirat, por autoritetet ruse e mohojnë këtë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se qeveria e Kievit po “tregon paaftësi për të marrë përgjegjësinë për fatin e vendit”. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, paralajmëroi për pasoja, nëse Rusia nuk ul tensionet dhe nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button