Turqi, mbi 98% të votave janë përpunuar, ja rezultati!

Janë përpunuar pothuajse të gjitha votat, apo mbi 98% nga të dhënat e përgjithshme nga referendumi në Turqi, ndërsa sipas këtyre të dhënave, 51.32% e votuesve u kanë thënë PO ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 48.68% kanë votuar kundër.

Me këtë, presidentit Rexhep Taip Erdogan i hapet rruga për ndryshimet kushtetuese që do ta fuqizonin atë ende më shumë. Me ndryshimet, do të krijohet sistemi presidencial – një lëvizje kjo që mund t’i jap presidentit turk,  fuqi të reja dhe ta lejojë atë të qëndrojë në pushtet edhe për më shumë se 10 vjet të tjera.

Nga të dhënat e deritanishme, 24.689.226 qytetarë kanë votuar pro ndryshimeve, ndërsa rreth 23.423.240 kanë votuar kundër tyre.

Rreth 55 milionë njerëz kishin të drejtë vote në këtë referendum për ndryshime kushtetuese. Ata votuan në 167 mijë qendra të votimit në mbarë vendin. Rezultatet mund t’i ndiqni duke klikuar KËTU!

PARASHIKIMET – Çfarë tash?

E ardhmja e marrëdhënieve tashmë të tensionuara në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë janë në rrezik dhe analistët parashikojnë se një fitore për Erdoganin mund të çojë në një ndërprerje të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.

Turqit votuan për 18 amendamente kushtetuese. Vota me “po” për këto ndryshime kushtetuese dobëson Parlamentin e Turqisë, eleminon postin e kryeministrit, dhe i jep presidentit më shumë kontroll mbi gjyqësorin.

Për të kaluar këto ndryshime kushtetuese duhet vetëm një shumicë e thjeshtë.

Këto janë ndryshimet më të mëdha të sistemit qeverisës në Turqi, që prej themelimit të republikës moderne më 1923.

Erdogan, në ditën e fundit të fushatës për referendum, ka thënë në një tubim në Stamboll se vota “Po” do të “përfundonte punën e nisur më 15 korrik”, një referencë kjo për grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar.

Udhëheqësia e partisë opozita Partia e Lëvizjes Kombëtare, gjithashtu ka bërë thirrje për votën “Po”, pasi kanë arritur një marrëveshje, me partinë e Erdoganit, AKP.

Ndërkaq, partia e dytë turke, Partia Popullore Republikane, ka bërë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat, nëse miratohen, do të hyjnë në fuqi më 2019. Ligjvënësja e kësaj partia, Silina Dogan ka thënë se natyra autoritare e amendamenteve do t’i jepte fund shpresave të Turqisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Grupi opozitar pro-kurd, Partia Popullore Demokratike, gjithashtu ka kundërshtuar amendamentet, duke thënë se ato janë jodemokratike dhe do të shkelnin parimet e pavarësisë së gjyqësorit.

Kritikët në Turqi kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se sistemi i ri qeverisës do të ishte një llojë “diktature të zgjedhur”, pa asnjë ndarje të pushtetit, duke bërë që Parlamenti të mos ketë asnjë pushtet legjislativ dhe do të bënte që presidenti të mos mund të mbahet përgjegjës për shkeljet eventuale.

Kritikët në perëndim gjithashtu kanë thënë se amendamentet do t’i japin shumë fuqi presidentit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button