Maqedoni, vendi ku drejtësia është nëpërkëmbur nga kaosi politik, pësojnë qytetarët

Në Maqedoni ende vazhdon të mbizotërojë situata kaotike në sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorit. Vetëm disa ditë më parë dy propozimet e kryetarit të Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski, janë lënë në tavolinë në vazhdimin e seancës së përgjithshme të gjykatës më të lartë, njëri që të shpallet se “bombat” nga bisedat e përgjuara nuk mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë penale, ndërkaq tjetri që Prokuroria Speciale të shpallet si organ i paautorizuar që të dorëzojë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, nuk kanë kaluar sot në seancë, njofton Portalb.mk.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë për Portalb.mk se kaosin në sistemin gjyqësor dhe të së drejtës e krijon politika, e cila tani më disa vite është dukshëm e përfshirë ne vendimet e gjyqësorit.

Profesori universitar Jove Kekenovski thotë për Portalb.mk se sistemi juridik është në rregull, problemi është te politikanët të cilët sistemin juridik e përdorin për çështje politike ashtu siç iu konvenon.

“Sistemi juridik është në rregull, problemi është te politikanët të cilët sistemin juridik e përdorin për çështje politike ashtu siç iu konvenon. Do të thotë që nuk është e mundur të krijohet sistem ideal me këta lloj politikanësh, sepse nuk mund të funksionojë asgjë”, tha për Portalb Kekenovski.

Ai po ashtu tha se ne këtë gjendje jemi falë mungesës së mendimit publik dhe gazetarisë objektive të cilët nuk bëjnë presion për të kërkuar drejtësinë.

“Do të thotë problemi është në psiken e njerëzve sepse nuk kanë ndjenjë për mendim publik sepse po të kishin mendim publik serioz ata mund të bënin presion dhe po të kishim gazetari objektive, po të kishim gjykatë objektive atëherë do të shihnim se a do të silleshin kështu politikanët. Problemi nuk është te ligjet, problemi është te politikanët dhe në mënyrën se si ata e trajtojnë sistemin juridik”, shtoi Kekenovski.

Juristi Osman Kadriu për Portalb.mk thotë se në Maqedoni pushteti gjyqësor dhe drejtësia janë tërësisht të politizuara.

“Problemi i drejtësisë dhe asaj se si funksionon drejtësia, si realizohet kompetenca e saj është një temë aktuale sidomos viteve të fundit nga shkaku se problemet më të mëdha paraqiten në pushtetin gjyqësor. Kjo është një pasojë e një rrethane shumë të qartë se pushteti gjyqësor dhe drejtësia në tërësi është e partizuar dhe e politizuar. Shumë punësime apo emërime janë bërë në bazë partiake dhe jo konform njohurive dhe prandaj është krijuar një drejtësi me struktura të paafta juridikisht dhe të partizuara”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se aktiviteti i parë që duhet të realizohet është ai për prioritetet që burojnë nga raporti i KE në të cilat në vend të parë është intervenimi në pushtetin gjyqësor që të mundet edhe shteti juridikisht të merr frymë dhe qytetarët t’i realizojnë të drejtat e tyre.

“Neve na duhet pavarësia e gjyqësorit sepse ne nuk kemi pushtet të pavarur, konform garancës që garanton kushtetuta pasi që në praktikë te neve nuk është i ndarë legjislativi, ekzekutivi, dhe gjyqësori. Përderisa kemi përbërje të korruptuar ne nuk mund të presim që ajo të ndërmerr diçka kundër këtij fenomeni. Kur drejtësia nuk e lufton korrupsionin, nuk e lufton kriminalitetin, me atë faktikisht krijohet një kriminalitet i ri, por tani jo nga bartësit e krimeve por nga vetë drejtësia. Aktiviteti i parë që duhet të realizohet është ai për prioritetet që burojnë nga raporti i KE në të cilat në vend të parë është intervenimi në pushtetin gjyqësor që të mundet edhe shteti juridikisht të merr frymë dhe qytetarët t’i realizojnë të drejtat e tyre. Ne nëse nuk kemi reforma të theksuara në aspektin subjektiv, në drejtësi atëherë nuk mund të presim për gjatë kohë që të zbardhen rastet e montuara politike”, shtoi Kadriu.

Ndërkaq në raportin e fundit të KE-së u tha se në gjyqësi situata është në regres. Suksesi i dekadave të kaluara në këtë fushë “është shembur nga përzierja e vazhdueshme politike në punën e gjyqësorit”.
Raporti shton se “pengesat të cilat i bëhen PSP-së, tregojnë se ka nevojë që në mënyrë më efikase të zgjidhet mangësia e pavarësisë së gjyqësorit dhe të parandalohet drejtësia e selektuar”./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button