Ivanov për “Viner Cajtung”: Kërcënon Zaevin edhe me burgosje

Gjorge Ivanov në intervistën për gazetën ditore austriake “Viner Cajtung” ka shprehur sërish qëndrime partiake duke kërcënuar liderin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev se do të përfundojë në burg, njofton Portalb.mk.

Ai tha se nuk do t’ia jep mandatin Zoran Zaevit sepse ka bërë lojë perfide, respektivisht “nuk e njohu rolin që iu dha”, se mbivlerësoi vetveten, kurse ashtu e vlerësuan edhe ata të cilët ia mundësuan të luajë atë rol. Në politikë duhet të ketë dialog dhe kompromis, kurse ai nuk dëshiroi të bisedojë.

“Cilido që do të jetë koalicioni i krijuar nën trysni është jostabil. Kushtetuta ndërrohet me 2/3 e shumicës. Por Zaev do të përpiqet që të sjellë këto ligje në Kuvend, që unë të vendos veto mbi ata, kurse Gjykata Kushtetuese të ngritë inciativë dhe ti prish ato ligje. Atë do të bëjë Zaevi që më pas të më akuzojë mua se unë jam anti-shqiptar”, tha Ivanov.

I pyetur për mundësinë eventuale që të zgjidhet Qeveri në Kuvend, pa e caktuar mandatin presidenti, Ivanov me qëndrimin se juridikisht një gjë e tillë është e paqëndrueshme.

“Një gjë e tillë është vetëm dëshirë. Juridikisht është e paqëndrueshme. Qeveria e tillë nuk do të ketë legjitimitet. Kjo është theksuar qartë në kushtetutën tonë. Në pajtim me nenin 90 të Kushtetutës, vetëm presidenti i shtetit mund ta përcaktojë mandatin për konstituimin e Qeverisë. Në këtë rast do të kishte dy qeveri. Ajo aktuale, e cila është qeveri teknike, dhe qeveria e cila është pa legjitimitetin e presidentit, gjegjësisht pa bazë kushtetuese. Do të thotë do të hyjmë në krizë më të madhe”, thotë Ivanov.

Në intervistë, presidenti Ivanov sqaron se prej shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, gjithmonë partia e parë e dalë nga zgjedhjet e ka marrë mandatin për konstituimin e Qeverisë.

“Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, unë bëra atë që unë dhe paraardhësit e mi gjithmonë e kemi bërë, fituesit të zgjedhjeve gjithmonë i ndahet mandati për konstituimin e Qeverisë”, thotë presidenti i Maqedonisë.

“Por, VMRO-DPMNE nuk arriti të koalicionojë me partitë shqiptare, në afatin e paraparë prej 20 ditëve, në pajtim me Kushtetutën. Të jem më preciz, koalicioni gjegjësisht ishte i dakorduar. Por, në orën e fundit pati thirrje telefonike dhe koalicioni u prish”, u përgjigj presidenti Ivanov.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button