Namaz në bodrumin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”

Pak minuta pas orës 12:39 kur ka qenë koha e namazit të drekës të enjten, disa prej lexuesve në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, ia kanë mësyrë bodrumit të këtij objekti. Në këtë hapësirë të ndërtesës mund të shihen sixhade që qëndrojnë mbi rafte e të cilat janë lënë aty nga praktikuesit e fesë islame, shkruan sot Koha Ditore.

Fillimisht drejt vendit që shfrytëzohet për praktikimin e riteve fetare, ndaras janë nisur dy të rinj. Me mëngë të përvjela pasi kanë marrë abdes në banjat afër sallave të leximit të katit të parë, pas tyre kanë vazhduar edhe dy lexues të tjerë për t’u pasuar nga dy vajza. Vendin ku falen djemtë dhe vajzat i ndanë një mur.

Ata i kanë ndezur dritat e bodrumit dhe kanë shtruar sixhadetë. Pasi meshkujt kanë nisur namazin, vajzat janë bërë gati prapa murit që ndan hapësirën ku lexuesit lënë gjësendet e tyre në raftet me dry. Njëra prej tyre ka pasur sixhade e tjetra ka përdorur një karton letre. Për ta “inspektuar” hapësirën në bodrum, në kohën e namazit të drekës ka shkuar edhe një pjesëtar i sigurimit të Bibliotekës. Por pavarësisht që ai i ka parë këta të rinj, menaxhmenti i kësaj Biblioteke ka thënë se stafi nuk është i informuar për këtë çështje.

Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni, ka thënë se nuk është në dijeni se në institucionin që drejton kryhen rite fetare.

“Nuk jemi në dijeni për këtë. Ne do të veprojmë në bazë të ligjit. Besoj që do të zbatohen ligji dhe rregulloret. Pa dyshim se do të merremi me këtë punë”, ka thënë ai. Pyetjes së gazetës nëse lejohet kryerja e riteve fetare në institucionet si biblioteka, Munishi i është përgjigjur prerazi: “Jo. Nuk lejohet”.

Komuna e Prishtinës është treguar neutrale sa i përket këtij rasti. Për përgjigje ka përdorur Ligjin për liritë fetare në Kosovë.

“Ligji për liritë fetare në Kosovë, përkatësisht neni 1 i tij lejon lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, qoftë si individ ose në bashkësi me të tjerët, publikisht ose privatisht, përmes adhurimit, predikimit, praktikimit dhe ceremonive”, shkruhet në përgjigjen e Komunës.

Para disa vitesh, kërkesa për hapësira të veçanta për namaz i ishin bërë bibliotekës kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Drejtori i këtij institucioni, Fazli Gajraku, ka thënë se asokohe nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Shpesh është thënë se namaz bëhet edhe në këtë institucion (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button