Basha: Të analizojmë humbjen, gati zgjedhjet në strukturat e PD-së

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha dje se PD tashmë duhet që të bëjë një analizë të thellë të humbjes së zgjedhjeve të kaluara si dhe nga kjo analizë duhet ë bazohet edhe ringritja e partisë për një fitore të ardhshme.

“Le të nisim analizën. Le të vëmë gishtin me drejtësi dhe objektivitet mbi shkaqet reale të rezultateve në zgjedhjet e shkuara. Le të diskutojmë e debatojmë në mënyrë të qytetëruar. Le të reflektojmë e nxjerrim mësimet e duhura në funksion të ringritjes. Le të nisim garën e re, të lirë e të ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj. Garën që do të nxjerrë në drejtimin e partisë që nga seksioni më i largët e deri në drejtimin e degëve njerëzit më të mirë e më të aftë, demokratët më të respektuar nga anëtarësia dhe nga komuniteti, ata që bashkë me mua, me anëtarët, votuesit dhe simpatizantët tanë do të udhëheqim PD në synimet tona për të fituar zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe zgjedhjet politike me pas”, tha ai.

Përmes një deklarate për me  mediat, kreu i demokratëve u shpreh entuziast për numrin e të rinjve të anëtarësuar, si dhe për rikthimin në parti të shumë prej atyre që kishin ndërprerë veprimtarinë e tyre në PD teksa bëri të ditur edhe zhvillimet e fundit brenda strukturave të PD për zgjedhjet e partisë.

“Grupet e punës të PD-së përmbyllën regjistrimin dhe anëtarësimet e reja në PD. Kjo ishte një thirrje drejtuar anëtarëve, simpatizantëve, qytetarëve, të rinjve dhe të rejave, pas rezultatit të zgjedhjeve të 23-qershorit. Thirrja jonë morri si përgjigje një rikonfirmim shumë domethënës të anëtarësisë tradicionale, një rikthim si rrallëherë në shtëpinë e tyre politike të shumë individëve që kishin ndërprerë veprimtarinë e tyre me PD-në ose ishin larguar prej saj. Kam kënaqësinë të njoftoj se duke mbajtur parasysh edhe regjistrimin e pritshëm për Tiranën, PD ka numrin më të madh të anëtarëve me regjistrim të rregullt dhe me të dhëna të sakta të databazës që ka patur ndonjëherë në historinë e saj”- deklaroi Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button