McCain nderohet në Kosovë me medaljen “Urdhri i Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi senatorin amerikan, John McCain, me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Republikës së Kosovës, priti në takim senatorin amerikan. Me këtë rast senatori McCain u dekorua nga presidenti Thaçi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për thellimin e partneritetit dhe miqësisë mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve.

Duke theksuar se e tërë jeta e senatorit McCain është një monument i gjallë i përpjekjeve për liri, presidenti Thaçi tha se “Në ditët tona më të vështira si komb ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë kur ne nuk kishim zë, ju në punën dhe angazhimin tuaj për çlirimin e Kosovës dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë themelore për secilin njeri, për secilin komb”, tha Thaçi.

Kurse senatori McCain u shpreh se ndihet thellësisht i nderuar për marrjen e kësaj medaljeje nga Kosova. Ai theksoi se po ashtu ndihet krenar për të qenë këtu pas shumë vitesh, pas periudhës së konfliktit dhe të tragjedisë.

“Ne të gjithë e dimë që ka ende shumë milje për të shkuar dhe progres për të arritur, por kur shikojmë në progresin e arritur, në funksionimin e demokracisë, organeve ligjvënëse dhe në zgjedhjet e ndershme, mendoj se populli i Kosovës duhet të jetë shumë krenarë, këtë janë arritur me sakrificat e tyre. Dhe unë zotohem të bëj çdo gjë që mundem për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-ve dhe shteteve tjera, por posaçërisht të SHBA-ve, për të siguruar që Kosova të mbetet e lirë, demokratike dhe e bukur si është sot”, tha McCain.

Senatori amerikan McCain, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dje u takua edhe me kryeministrin Isa Mustafa, kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe iu adresua deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne. Para vizitës së tij në Kosovë, ai vizitoi edhe shtetet tjera të Evropës Juglindore, si Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërkaq pas qëndrimit të tij në Kosovë, sot pritet të vizitojë edhe Shqipërinë.

Ndryshe, McCain në luftën e fundit në Kosovë, përkatësisht në mars të vitit 1999 kishte votuar për miratimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button