Transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese

Senatori amerikan, John McCain në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, sot theksoi se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, raporton Anadolu Agency (AA).

John McCain i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë dyditore, sot u takua me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Pas këtij takimi, ai mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ku iu adresua deputetëve.

Gjatë fjalimit të tij senatori McCain theksoi përkushtimin e SHBA-ve për mbështetjen e Kosovës, duke theksuar se ky përkushtim ka qenë apolitik që nga fillimi. Duke rikujtuar vitet 90-të dhe kohën e luftës në Kosovë, ai tha se është dëshmitar i arritjeve 9 vjeçare të Kosovës.

Përkundër përparimit të arritur, sipas senatorit amerikan, Kosova ka ende shumë punë për të bërë, ku theksoi se “Në këtë rrugë nuk do të jeni të vetmuar, SHBA qëndron e gatshme për t’iu mbështetur”. Ai vuri në dukje se tani është koha e vazhdimit në marshin e përparimit me miratimin e marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e cila sipas tij “do të sillte edhe liberalizimin e vizave me BE-në dhe do të paraqiste një hap të rëndësishëm”.

McCain, si kryesues i Komisionit të Senatit për Shërbime të Armatosura, tha se është i gatshëm që të bëjë gjithçka që mundet që të ofrojë përkrahje dhe ndihmë në aspektin e sigurisë së Kosovës.

Duke theksuar se siguria afatgjate e Kosovës është e rrënjosur në marrëdhënien e saj politike me SHBA-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, MacCain tha se “Për këtë arsye është kaq e rëndësishme që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Ky është vendim sovran të cilin mund ta marrin vetëm populli i Kosovës. Siç e ka theksuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi se duhet të jetë gradual, përfshirës, me angazhimin e të gjitha komuniteteve duke përfshirë edhe serbët e Kosovës. Nëse bëhet kështu atëherë besoj se transformimi në FAK në afat të gjatë do të avancojë përparimin e Kosovës, legjitimitetin e vet ndërkombëtar dhe do të sigurojë qasjen e ardhshme në ndihma ushtarake”.

Ai po ashtu theksoi se paqja dhe prosporiteti i ardhshëm I Kosovës varet nga suksesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbinë. Duke theksuar se ka të tillë që besojnë se Kosova dhe Serbia kurrë nuk do t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre, McCain tha se “ju nxis që ta refuzoni një fatalizëm të tillë”.

“Porosia ime për ju është e njëjtë me atë që i kam përcjellë edhe kryeministrit serb gjatë kësaj jave. Avancimi i dialogut të lehtësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA-ja është në interesin e kosovarëve dhe të serbëve, është jetik për të ardhmen evropiane të përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë, dhe thelbësore për stabilitetin e Evropës Juglindore”,

Ai së fundi duke rikujtuar konfliktin mes amerikanëve dhe Vietnamit, shprehu dëshirën që Kosova të jetë një vend i cili do t’iu tregojë botës edhe një herë se pajtimi është i mundshëm.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë fjalimit të përshëndetëse për senatorin McCain, theksoi rëndësinë e mbështetjes së SHBA-ve për Kosovën, si gjatë periudhës së luftës ashtu edhe në zhvillimin e saj pas pavarësisë. Veseli tha se Kosova do të jetë gjithmonë simbol i një demokracie të vërtetë në rajonin e Ballkanit, dhe simbol i fuqisë, vlerave dhe i vullnetit të mirë të SHBA-ve.

Ndërkohë, senatori amerikan, John McCain nesër do të zhvillojë një takim edhe me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku pritet të dekorohet nga Thaçi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai në luftën e fundit në Kosovë, përkatësisht në mars të vitit 1999 kishte votuar për miratimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Ai para vizitës së tij në Kosovë, vizitoi edhe shtetet tjera të Evropës Juglindore, si Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërkaq pas qëndrimit të tij në Kosovë do të vizitojë edhe Shqipërinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button