Media austriake për Maqedoninë: Krijo një armik, për t’i anashkaluar problemet reale

Prej një muajsh thuajse çdo ditë protestuesit maqedonas lëvizin nga ndërtesa qeveritare në parlament, për t’u ndalur pak edhe përpara qendrës informative të BE. Ata mbajnë flamujt verdhë e kuq dhe çadrën si simbol të diellit nga flamuri i Maqedonisë. “Makedonija” është fjala që dëgjohet më shpesh nga të bërtiturat e protestuesve. Jemi këtu për shkak të patriotizmit dhe dashurisë për mëmëdheun, thonë ata shkruan media më e vjetër botërore “Wiener Zeitung”, transmeton “Botasot“.

Mëmëdheu është në rrezik, është fraza tjetër e dëgjuar nga protestuesit maqedonas. Ngjashëm thekson edhe presidenti Gjorgje Ivanov se me mandatimin për kryeministër e liderit opozitar Zoran Zaev cënohet sovraniteti dhe integriteti i Maqedonisë. Partia e dytë më e fuqishme LSDM ka arritur marrëveshje me partitë shqiptare, mes tyre edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në disa fusha.

Sesi rrezikohet sovraniteti i Maqedonisë me shkrimin e monedhave edhe në gjuhën shqipe dhe paraqitja e kontratave edhe në gjuhën shqipe në komunat shqiptare, nuk sqarohet nga presidenti. Kjo ka sjellur tensionim të situatës ndëretnike. OBRM e Nikola Gruevskit ka koalicionuar një kohë të gjatë me partinë shqiptare BDI, por së fundi ajo nuk ka gjetur partner koalicioni.

Debati i zhurmshëm parlamentar

Nuk është e vështirë të kuptohet hezitimi i presidentit Ivanov, që rrjedh nga partia konservatore e OBRM. Nëse ndryshohet qeveria dhe Gruevski me shokë humbin imunitetin, atëherë mundet që së shpejti ata të ulen në bankën e të akuzuarve.

Për këtë prej tre javësh kemi obstruksione brenda parlamentit dhe protesta jashtë saj.

Më pas media vjeneze tregon rezymenë e krizës maqedonase filluar nga skandali i përgjimeve dhe presionit mbi organizatat kritike jo-qeveritare.

“Krijo një armik, për ti anashkaluar problemet reale”

Udhëheqja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, ka theksuar se problemet e sotshme vijnë për të mbuluar problemin real. “Metoda është krijo një armik, për ti anashkaluar problemet reale”.

Nga këto nuk ka pak. Vendi ka dështuar të integrohet në strukturat euro-atlantike dhe NATO. Kontesti i emrit me Greqinë është i pazgjidhur. Ekonomia nuk ka rritje më të madhe sesa 3 përqind, ndërsa papunësia përkundër që është ulur vitin e kaluar përsëri çdo i katërti është i papunë. Të ardhurat mesatare qëndrojnë 400 euro për kokë banori në muaj, as sa një e treta në krahasim me mesataren e BE.

Për shkak të krizës politike vërehet edhe krizë e investimeve. Drejtori ekzekutiv i OEMVP, Fatmir Bytyqi, e formulon problemin shumë qartë: “Ekonomia e shtetit është zaptuar nga një grup i vogël i politikanëve.”

Perspektiva jashtë shtetit

Sipas disa anketave ndaj të rinjve, 78 përqind e tyre kërkojnë punë në sektorin publik, 12 përqind në sektorin privat, ndërsa çdo i dhjeti më së miri kërkon perspektivë në vend të huaj. Por shifra që kërkon të largohet duhet të jetë shumë më e madhe, pasi vetëm pesë vitet e fundit Maqedoninë e kanë lëshuar 400.000 persona. Rreth një e katërta e tyre kanë një pasaportë europiane, gjysma e tyre të Bullgarisë. Shifrat i ka publikuar agjencia BIRN: nga 2005 deri në 2015 pasaportën bullgare e kanë marrë 58.000 maqedonas, ndërsa 49.000 shtetas të Maqedonisë kanë marrë pasaportën në ndonjë vend tjetër të zonës Shengen – Zvicër, Itali, Gjermani ose Austri, përcjell botasot.info.

Emigrantët zakonisht janë të ri dhe të mirë arsimuar. Emigrimi nuk shihet vetëm si problematik për Maqedonisë, pasi remitencat përbëjnë një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por në shumicën e vendeve emigrantët pas një kohe mendojnë të kthehen në vendlindje me motivime dhe projekte të reja. Kjo ka pak gjasë të ndodh në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button