SHGM: Pushteti me para dhe dhunë kontrollon mediat

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përgatiti raport për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në vitin 2016. Raporti është përpunuar duke shfrytëzuar metoda kualitative dhe kuantitative të grumbullimit dhe analizimin të të dhënave.

“Me keqardhje mund të konstatojmë se gjendja e lirisë së mediave gjatë vitit të kaluar është përkeqësuar në të gjithë indikatorët e hulumtimit, siç është legjislativa mediatike dhe zbatimi i saj, gjendja e përgjithshme profesionale, ekonomike dhe sociale e gazetarëve si dhe siguria e tyre”, thonë nga SHGM.

Nga të dhënat e marra, SHGM thotë se mund të konstatohet lehtë se Qeveria i përdorë të gjitha instrumentet e pushtetit të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të kontrollojë mediat. Sipas tyre, Ajo përdor politikën e “shkopit dhe karrotës” ndaj mediave.

“Mediat e dëgjueshme i shpërblen me para publike, ndërsa gazetarët që e kritikojnë vazhdimisht i sulmon dhe janë të ekspozuar presioneve të ndryshme. Përkundër moratoriumit formal për reklama qeveritare nga maji i vitit 2015, institucionet publike me arsyetime të ndryshme vazhdojnë të shpenzojnë shuma serioze parash në media. Nga të dhënat e grumbulluara shihet se ministritë dhe komunat në Maqedoni gjatë vitit të kaluar kanë shpenzuar rreth një milion e gjysmë euro në mediat e shtypura, online dhe në mediat rajonale dhe lokale. Rreth 400 mijë euro janë harxhuar në gjysmën e parë të vitit të kaluar, ndërsa mbi një milion euro janë planifikuar të shpenzohen gjatë gjysmës së dytë të vitit”, thonë nga SHGM.

Ashtu siç elaborojnë nga SHGM, mjetet e ministrive dhe komunave të shpenzuara në media janë më të larta për shkak se katër ministri dhe 23 komuna kanë refuzuar të japin të dhëna për mjetet e shpenzuara në media. Gjithashtu, ata thonë se nga 80 komuna, vetëm 42 kanë dorëzuar të dhëna për mjetet e planifikuara për shpenzim gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016.

“Rreth 700 mijë euro, që është gjysma e shumës së përgjithshme, janë shpenzuar nga Ministria për shoqëri informative dhe administratë, si subvencion për televizionet kombëtare për nxitjen e programit filmik dhe dokumentar vendor. Në krahasim me vitin 2015, MShIA gjatë vitit të kaluar këtë fond e ka rritur për 200 mijë euro, edhe pse në skemat programore të televizioneve nacionale ende dominojnë serialet turke dhe programet zbavitëse serbe. Nëse këto mjete nuk ndikojnë seriozisht në pasurimin e skemës programore të televizioneve nacionale, atëherë logjikisht parashtrohet pyetja se cili është qëllimi i vërtetë i tyre. Ne jemi të bindur se pushteti nuk shqetësohet për produksionin vendor, por për blerjen e simpatisë së mediave”, shtojnë nga SHGM, duke shtuar se nga ministritë, më së shumti mjete për parapagim në gazeta ka shpenzuar Ministria e punëve të brendshme, e cila vjet ka paguar mbi 50 mijë euro.

SHGM nënvizon gjithashtu se në Maqedoni ekziston politikë e qartë e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve. Bindshëm numri më i madh i incidenteve nuk janë zbardhur, ndërsa asnjë dhunues nuk është dënuar.

“Pushteti në vitin 2016 lëshoi shansin të bëjë reforma serioze në legjislacionin mediatik dhe kështu të eliminojë vërejtjet kryesore të SHGM-së dhe faktorit ndërkombëtar për të siguruar autonominë institucionale të Radio televizionit të Maqedonisë dhe pavarësinë e rregullatorit mediatik. Në vend të reformave të vërteta, partitë bënë ndryshime kozmetike të ligjeve, të cilat nuk përmirësuan ndieshëm gjendjen e mediave.  Asnjë procedurë nga Komisioni Ad Hoc ndaj mediave për raportim jo të balancuar gjatë kohës së fushatës zgjedhore, nuk është procesuar nga organet gjyqësore. Prokuroria dhe gjykatat nuk kanë arritur të ndërtonnë sistem efikas për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes në media”, thonë nga SHGM.

Të dhënat nga raporti dëshmojnë edhe për përkeqësimin e pozicionit profesional, ekonomik dhe social të gazetarëve.

“Pagat e tyre po zvogëlohen, vendet e punës janë të pasigurta, ndërsa presionet nga redaktorët, menaxherët dhe pronarët e mediave po shtohen. Aspekti i vetëm pozitiv në këtë raport është përmirësimi i praktikës gjyqësore për paditë për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve. Pozitiv është fakti që numri i padive po ulet, ndërsa gjykatësit, me përjashtime të vogla, kanë filluar të zbatojnë seriozisht praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut nga Strazburgu. Për dallim nga viti 2012, kur kishte mbi 320 padi për shpifje ndaj gazetarëve, vitin e kaluar ky numër ka rënë nën 50”, thonë nga SHGM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button