Sfidë Simeone-Zidane për stolin e PSG

Nuk është vetëm Monaco që mendon të ulë në stol legjendën e futbollit francez, Zinedine Zidane. Në gjurmët e asistentit të Ancelottit te Real Madrid është vendosur edhe klubi tjetër që kryeson Ligue 1, Paris Saint Germain.

Mediat në Francë shkruajnë se presidenti i parizienëve, Nasser Al-Khelaifi ka mbetur shumë i zhgënjyer nga eliminimi i skuadrës në Champions League nga Chelsea dhe pesha më e madhe e përgjegjësisë bie pikërisht mbi trajnerin Laurent Blanc.

Lamtumira e ish teknikut të kombëtares franceze nga Parisi duket e paevitueshme në rast se ekipi i drejtuar prej tij do të dështojë edhe në finalen e Kupës së Ligës, trasnmeton Supersport.

Për të ardhmen, tre emra janë identifikuar si më të pëlqyerit nga Al-Khelaifi, bëhet fjalë për Diego Simeonen, Vicente del Bosquen dhe Zinedine Zidane, i cili në të njëjtën kohë shikohet nga Monaco si pasardhësi i mundshëm i Claudio Ranierit.

Pavarësisht emrit që do të përzgjidhet, 10 milionë Euro neto për dy sezone është paga që Paris Saint Germain ofron për trajnerin e ardhshëm. Del Bosque, për të cilin thuhet se më parë ka refuzuar një propozim nga Interi, ka kontratë për drejtimin e kombëtares spanjolle deri në 2016-ën, ndërsa Diego Simeone, më shumë i preferuar nga Al-Khelaifi, nuk ka ndërmend ta braktisë Atletico Madrid, skuadër me të cilën po shkëlqen në futbollin europian.

Në këto kushte, favorit mbetet Zidane, i gatshëm t’i thotë po një oferte kaq joshëse nga parizienët.

Lajme të ngjashme

Back to top button