Rama: Kush guxon të vendosë një tullë pa leje, do të ndiqet penalisht

Kryeministri, Edi Rama ka shpërndarë në Vlorës titujt e pronësisë për ata që kanë ngritur shtëpi banimi pa leje. Rama u shpreh se me këtë proces do t’i japë fund historisë së zvarritjeve dhe korrupsionit që ka zgjatur për vite me radhë si dhe shënohet edhe ndarja përfundimtare të dy kapitujve .

“Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas.  Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku “gjej një shesh e bëj një përshesh”, është shprehur kryeministri.

Kryeministri u ndal tek abuzimet e bëra me këtë proces në qarkun e Vlorës, ku sipas tij janë bërë legalizime  vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. 

“Janë legalizuar godina në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin.  Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime”, tha Rama.

Në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Ndërkohë qeveria e mëparshme, në 8 vjet, në rang vendi ka realizuar legalizime në masën 5-6%, ndërsa në Vlorë ka legalizuar në masën 12%, shumica dërmuese e të cilave janë legalizime problematike.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame sqaroi se, kjo shifër nuk ka të bëjë me legalizimin në zonat informale, por legalizimet që janë kryer në bregdetin e vendit, ku shumica e tyre nuk duheshin legalizuar. “Ky 12% nuk është në këto zona, nuk është në zonën e ‘Fushës së Aviacionit’. Në këtë 12% janë pallate në Sarandë, objekte në Parkun Kombëtar të Butrintit, objekte në bregdet e kështu me radhë. Kjo e shpjegon faktin pse Vlora ka më shumë legalizime”, u shpreh Lame./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button