KUR KAM QENË MORI GJURGJO…

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

KUR KAM QENË MORI GJURGJO…

Tash po vdes qyteti i carit tonë (autori e ka fjalën për Prizrenin, demek qyteti i car Dushanit, shën. i përkth.) dhe po shpërngulet. Duket se ka zënë ndryshk maja e Cvilenit dhe jepet një përshtypje sikur të jenë disi më të rënda mjegullat e plumbta që e shtypin Sharrin. Përmbi Koritnik dhe mbi Pashtrik nuk ka push pranvere. Qielli është i përhitur mbi malet shqiptare, përtej.

E dikur farfuronte qartas floriri në kraharorët e nuseve të Prizrenit dhe shkëlqente gajtani nëpër dimitë e tyre. Aman, ku janë ata sy të bukur të vashave zeshkane, biondina e me flokë ngjyrë gështenje? Dhe, ku janë ato të hedhura e të përdredhura shtatash të njomë dhe zëri gazmor që dëgjohej nëpër kapixhikë? Edhe lulëkuqet, edhe zymbylat edhe trëndafilat e kultivuar si vasha të lazdruara. Netët, ku janë netët, kur hëna është e plotë përmbi Gjallicë, kurse qetësia të jep përshtypjen se dëgjon këmborët e deleve të Gorës maleve lart. Kur valëzon e stërpik Lumbardhi nën kupën qiellore të qëndisur me yjet hyjnore, ta shohësh, ku? As gjethi nuk lëviz në rrapet e Marashit. As qiriçi nuk bie nga freskat e lyera në kishën e Shëna Premtes. Vetëm unë kaloj pranë shtëpisë në të cilën vasha ime fle… E po “kam qenë i vogël si ti”.

Pastaj erdhi Teatri Popullor i Shkupit dhe unë u bëra kryetar i këshillit teatror. E mbajmë një mbledhje, për shembull, unë e regjisorët: Xha Miloradi dhe Milojeviçi dhe një fillestare e lëshojmë nga puna: i ka bërë dëm emrit të teatrit. Ose flasim me seriozitet të madh për repertorin, për rrogat dhe për nevojat tjera. Në mbrëmje veshi monturën, dorëzat e bardha, e ulem në rendin e parë, vendi numër tre, pranë sekretarit të Konsullatës austriake.
 – Çudi e madhe, zotëri, që ne po shihemi kaq shpesh, thotë ai.
            – Dhe takimet i kemi kaq të këndshme, i them unë.
            Pastaj pas luftës në vitin nëntëqind e trembëdhjetë ne këmbësorëve duarzinj na patën caktuar për komandantë të aradheve të xhandarmerisë në jug. Dhe, kështu, një natë e shkarkuan nga detyra e kryeshefit të rrethit Matiçin dhe mua nga “Miqtë e afërt” të Sardusë. Shkruesi policor i cili e përfaqëson kryeshefin e rrethit në Rahovec lajmëron se një numër i madh kaçakësh, që kanë kaluar nga Shqipëria, do ta sulmojnë sonte qytetin. Këtë ia paska treguar kryetari i komunës, një mysliman. Ai i kishte thirrur serbët nga rrethina dhe i kishte armatosur (1) .Po megjithatë ka frikë… dhe paraqitet në bazë të detyrës…

I dërgojmë dyzet xhandarë këmbësorë sa kishim aty pranë, kurse unë u nisa me njëzet kalorës. Ishte ora dhjetë. Me lagështi e me mjegull, rruga ishte me baltë e nuk shihej asgjë. Një natë e ftohtë pranverore. Prej Drinit vjen ndonjë zë i zgjatur, i çuditshëm, pastaj dëgjohet vetëm trokëllima e kuajve tonë. Hapësira drejt Gjakovës është e mbuluar me natë, me lagështi dhe me mister. Kurse udhën e cila po bëhet dhe kthen për në Rahovec, e kanë prishur. Kali turfulloi, i shtriu këmbët e përparme, të prapmet i mblodhi dhe rrëshqitëm disa metra teposhtë. Pas orës dy pas mesnate arritëm në Rahovec. Atje ishte qetë; sulm nuk pat; hoçjanët (2bëjnë roje e parakalojnë rrugëve (Gjithmonë pallavrat e njëjta me rojet: bëjnë roje, bëjnë roje. Ata edhe sot bëjnë roje. Shën. i përkth).

Kur të nesërmen u nisëm nga Rahoveci ishim njëzet e katër veta: edhe tre xhandarë kalorës dhe shkruesi policor Dushan Peroviçi, një djalë i ri, më duket se s’i ka as njëzet vjet. Mëngjesi i ndritshëm, mjegulla është tretur, prej livadheve ngrihen lart tufa të reja mjegulle. Më së pari kthyem në Ostrozub, vend i njohur i bajrakut të Ostrozubit. Në komunë udhëheqës është Jefta Gapiçi nga Prizreni dhe vëllai i bajraktarit me pushkë (3) .
    – A ka diçka të re?
            – Jo s’ka kurrgjë, thotë vëllai i bajraktarit (ky do të jetë shqiptar?… shën i përkth.) Disa kaçakë vetëm kanë çuar fjalë se do të vijnë sot, të premten, të falen këtu në xhami.

Kalojmë nëpër Dragobilë e atje është shkretë sepse fshatarët kanë shkuar ta bëjnë udhën (4) dhe lëshohemi në Banjë (5). Para nesh shkon një patrullë prej tre kalorësish. Dhe aty para Banjës u shfaq një arnaut, doli nga drizat dhe ma zgjati një copë letër. Xhandarët nga komuna e Carrallukës (6) lajmërojnë: “Na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Na e kanë ndërprerë lidhjen me Banjën dhe me Kijevën. Çka të bëjmë?” Marr e iu shkruaj, të presin deri në mbrëmje, se do të vijmë atje të bujmë.

Banja është shtrirë përskaj udhe kah zbresim. Godina e komunës është në fund dhe në kuadër të fshatit: djathtas një majë e fortë, majtas hapësira me pyje. Kapolari, epror i stacionit, e kishte rreshtuar rojën prej shtatë xhandarësh dhe del në raport:
 – Zotëri kapiten, gjendja e rojës është në rregull. Vetëm se ne jemi të rrethuar nga të gjitha anët…
            – Si jemi rrethuar nga të gjitha anët?
            – Ja, shikoni përpara, drejt!
            Me të vërtetë, atje pranë pyllit dukeshin si vrapojnë disa njerëz: disa me tesha të bardha, disa me tesha të zeza. Ardhja jonë pa dyshim i ka shqetësuar. Por më duket se nuk janë shumë.
            – Është një kmet (plak katundi, shën. i përkth.) këtu, vazhdon kapolari. Ai ka qenë me kaçakët. Mund të na tregojë…
            – Zoti ju ndihmoftë, trima!
            – Zoti qoftë me ty! përgjigjen ata të shtatët.
            – Zbritni prej kuajve! Kuajt në oborr të komunës! Një patrullë t’ua vërë syrin mirë atyre që po vrapojnë atje pranë malit!

Në komunë kryetari serb prej Prizreni dhe tre kmeta arnautë. Ky që paska qenë me kaçakët tregon:
 – U nisa për Carrallukë. Kur udhës dolën tre kaçakë dhe ia ngjitën kalit për freni. “Menjëherë”, thanë, “të kthehesh në fshat. Fshati të çohet në kryengritje. Kush ka pushkë le të dalë me pushkë, kush nuk ka le të dalë pa pushkë. Duam t’i tregojmë gjithë botës se kjo këtu është Shqipëri. Dhe, kjo do të bëhet patjetër deri te pampuri (te hekurudha). Se neve na ndihmojnë katër krajlî…”
            – Dhe ti u ktheve?
            – U ktheva.
            – E a ishte edhe dikush tjetër, përveç atyre treve?
            – Ishin në livadhe pranë udhës nja katër qind veta.
            – Hej, shiko se çka po flet! A e di ti se çka do të thotë katër qind veta?!
            – E di mirë, zotëri.

Menjëherë e pata të qartë se nuk ishte fjala për ndonjë aksion kaçakësh, po kjo ishte kryengritje, se në Carrallukë nuk mund të shkoj dhe se gjendja momentale është shumë e vështirë: jam në rrafshinë, i rrethuar nga dy anë. I çoj kryeshefit raport, të cilin e dërgoi Jefta Gapiçi ta dorëzojë përmes telefonit nga Rahoveci, kurse unë vendosa që të ngjitem kah maja djathtas, e të bëj ndonjë të shtënë duke u tërhequr kah Rahoveci. Kështu do ta mbajë kontaktin me armikun deri sa të më arrijë përforcimi. E çova kapter Petrin me tre kalorës ta shohë mos e kanë pushtuar majën. Ai u kthye me raportin: “Plot arnautë është rreth e më rreth. Nuk gjuajnë. Vetëm e ngrenë kokën prapa shkëmbinjve e na shikojnë. Na duhet patjetër të largohemi nga fshati.

Në atë çast në po atë majë ia behu kryeshefi i rrethit nga Suhareka me dy kalorës dhe me tetë këmbësorë. Ne këtë e shohim mirë nga pozita si të thuash e gjykatës. Atëherë u dëgjua: “Ndal! Ndal!” dhe pastaj ia dhanë të shtënat nga pushkët. E i pamë kuajt si vraponin pa kalorës. Unë dal vrap prej komune, i ndaj ushtarët në dy dhjetëshe, e caktoj njërën për drejtimin e tretë, kur ai kapolari i njejtë tha:
– Nuk bën para asgjë, zotëri kapiten. Sa s’kanë filluar të na gjuajnë nga kjo ana e tretë.
            Dhe sa i tha ai këto fjalë, nga ajo ana e tretë kërciti një pushkë dhe plumbi ra para nesh, e u ngul në dhe. Atëherë nga të gjitha anët si me marrëveshje nisën të fishkëllojnë plima-plima plumbat, na mbuluan, i bënë shoshë muret e komunës, e mbushën oborrin dhe murin rreth tij.
            – Të mbyllemi në komunë dhe të mbrohemi, tha shkruesi Peroviç.
            – Do të sjellin kashtë dhe do ta ndezin. Po ne t’ia mbathim disi e të shpëtojmë kokën, si të mundemi. E nesër shohim e bëjmë.

Më parë ende urdhëroja, kështu që kryetari i kishte mbledhur të hollat, aktet dhe vulën e komunës dhe ishte tretur dikah.

Tash të gjithë më shikonin dhe prisnin se çka do të urdhëroja. Çdo luhatje do të kishte pasoja jashtëzakonisht të dëmshme. Dhe unë isha i vetëdijshëm për këtë çast.
– Kapter Petri dhe katër kalorës: në kuaj! Drejtimi: udhës nëpër fshat, nëpër përrua majtas, e atje në atë pikë! Marsh, marsh!

Ata u hipën kuajve, ndërsa nga të gjitha anët fluturonin plumba në drejtim të tyre, por asnjëri nuk u vra deri sa ne i shihnim si shkonin.

Tash erdha në rend unë me tetëmbëdhjetë të tjerët. I urdhërova mirë që të gjithë të kalërojnë nga katër në dhjetë hapa largësi midis vetes, mirëpo kuajt të pa ushtruar, e shkonin gjithë pas bishtit të kalit tim dhe kështu u bë një tollovi e madhe. Pushkët ia dhanë krismave, plumbat fishkëllonin, u tërbuan. E atëherë nisën të na gjuajnë edhe nga shtëpitë e fshatit. Dhe e pashë mirë hanxhiun se si nga dera e hanit më gjuajti me pushkë, po s’më qëlloi. Nuk mundëm të  qëndrojmë asaj udhe të vetme nëpër fshat për shkak të zjarrit nga shtëpitë, po lakuam kah përroi majtas me qëllim që të dalim në pikën e caktuar si drejtim për kapter Petrin. Kjo do të thoshte të kthehemi anës asaj maje e cila ishte pushtuar më së forti. Prej aty plumbat nga martinat fluturonin si trumcakë rreth veshëve dhe hundëve tona dhe e lëronin tokën nën thundrat e kuajve.
            Pra këtu do të vritem, mendoj unë në atë çast. Sot e kam ditëlindjen. Kurse livadhi i bukur. Kujt do t’i shkonte mendja se fundin do ta kisha në Banjë. Po paskam qenë jetëshkurtër… He, punë e madhe, kur s’ka çare… Tash plumbi tjetër do të më arrijë me siguri… Jo, i treti…
  – Oh! u dëgjua pas meje.
            – Ç’ke?
            – Më goditi në kryqe.
            – Mbaju!
            – Oh!
            – Po ti ç’ke?
            – Më qëlloi në shpatull, uh!
            – Mbaje kalin mirë!
            Dhe kaluam. Vetëm një i plagosur në kryqe. Kurse ai që bërtiti për shkak të shpatullës as nuk është plagosur: e ka goditur dheu nga thundrat e kalit, e është frikësuar. U plagosën edhe dy kuaj.
            Pastaj ecëm me kuaj deri në Rahovec.
– Dhe për natën nuk kam dert, u paraqita në telefon në Prizren. Tash ata do të futen në komunë. Do t’u bien lodrave gjithë natën. Kurse nesër do ta sulmojnë Rahovecin. Ju lutem të m’i dërgoni dy topa.
            Të nesërmen Jevta Gapiçi erdhi vrap rreth orës dhjetë i zbehtë nga fshati:
   – Edhe Ostrozubi iu bashkua kryengritësve!
Rreh orës njëmbëdhjetë ata nja shtatëqind vetë i sulmuan pozitat përmbi Rahovec. Ishin këta kaçakë dhe emigrantë tanët nga vitet dymbëdhjetë e trembëdhjetë dhe kishin kaluar tash këndej të ngrenë kryengritje (“emigrantët tanë” janë shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre, shën. I përkth.). Ishin shpërndarë në një varg të hollë e të gjatë sipas taktikës së tyre që të na rrethojnë nga dy anë. Dhe ia dolën të na rrezikojnë nga ana e djathtë. Por i thyen fshatarët nga Hoça e Madhe (serbët e Hoçës, shën. I përkth.) duke bërtitur:
 – O Ramadan, bre!
            – O Stojan, bre!

Në orën dymbëdhjetë ia dolëm t’i sjellim dy topa dhe pas të shtënave të para kaçakët dhe kryengritësit u shpërndanë në të gjitha anët (7). Ostrozubi, natyrisht, u dogj. Të nesërmen edhe një pjesë e Banjës.

Ka rënë mbrëmja, kurse qielli ka marrë ngjyrë prushi dhe duket kuq prej së largu. Pallin lopët dhe lehin qentë. Ka njëfarë ndjenje të kobshme që rri pezull përmbi kokat e njerëzve. Mirëpo shteti ndërtohet me gjak dhe me hekur, ka thënë dikush. E po, “e kam bërë një kullë me nëntë kate”.

Të nesërmen prej nesh u bë një aradhe: dymbëdhjetë kalorës, njëqind këmbësorë, dy topa (8). Marshojmë kah Carralluka me njerëz që na sigurojnë. Po unë dola me kalorësit para patrullave këmbësore. Kur – nga një pyll na pritën me të shtëna. Nuk mundëm të kthehemi. Kurse ata janë pak, diktohet, pesë a gjashtë.
            – Uraaa! u turrëm ne me shpata të nxjerra nëpër kaçuba. Ikën. Vetëm se kapter Kosta Gjorgjeviçi njërit ia çau më dysh kokën dhe kështu mezi dolëm prej këtyre kaçubave (9).

Gjatë gjithë kësaj kohe telegrafi në Prizren ka qenë i ngulfatur nga depeshet e konsullatës austriake.
 Kur hyra pas dy ditësh para shfaqjes në garderobën e teatrit, lëshuan vrap të gjithë anëtarët. “Gjallë është kryetari ynë, gjallë!”

Dhe tash e gjithë kjo duket si roman i kalorësve qëllimmirë, kurse njerëzit e pendës ankohen se nuk kanë material për shkrime. Material ka, mirëpo qielli është i trubullt dhe qyteti i perandorit është plakur dhe është lodhur dhe diçka është futur në shpirt si kumbim i kambanës së krisur. Eh, moj Gjurgjo, rini të bukur patëm, po me pikëllim. Kaq për muhabet e për dert. (Ja dëshmia se kryengritje shqiptare kundër serbëve ka pasur vazhdimisht, ndonëse gjithmonë kemi qenë të vetmuar, shën. i përkth.)

_______________________________________________________________________________
1 Vini re dëshminë për armatosjen e serbëve në ato kohë, sa për krahasime me kohët e mëvonshme 
2 Banorë serbë të fshatit Hoçë e Madhe pranë Rahovecit
3 Ostrozubi është fshat shqiptar
4 Punë angari që kanë bërë fshatarët shqiptarë
5 Fshat shqiptar midis Duhlës e Malishevës
6 Fshat shqiptar afër Banjës
7 Për qëllime të propagandës bëhet dallimi midis kaçakëve dhe kryengritësve
8 Propaganda bën çudi: një numër i vogël serbësh të paarmatosur mirë, e shuan një kryengritje të madhe shqiptare
9 Me çfarë lehtësie vritet mizorisht njeriu

LEXO PJESËN PARAPRAKE: DIMRI NË DIBËR

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.? 

Lajme të ngjashme

Back to top button