Nuri Seferi vazhdon serinë e fitoreve

Nuri Seferi ka kënaqur me fitore të pranishmit në “Arena Halle” të Berlinit, duke i shtuar një tjetër fitore gjerdanit të tij të sukseseve. 37-vjeçari arriti suksesin e 35 të një karriere vërtet për tu admiruar duke mposhtur me vendim unanim të jurisë 36 vjeçarin nga Venezuela Gysmur Perdomo në një mbrëmje ku spikati krenaria kombëtare.

Ishin të shumtë shqiptarët në Union Halle të Berlinit me Tajsonin Shqiptar që nuk i zhgënjeu jo vetëm me paraqitjen në ring por dhe me shpalosjen e ndjenjave kombëtare me flamurin kuqezi mbi supe e hartën e Shqipërisë etnike të stampuar në uniformë. Seferi e filloi mirë që në raundin e parë ku edhe pse normalisht sekondat e para dy boksierët preferuan të studionin njëri tjetrin.

Gjithsesi dominimi i Seferit erdhi në rritje konstante në raundit e dytë ndërsa në të tretin e vuri Perdomon me shpatulla jo pas murit por pas litarëve, duke ndezur brohoritjet e tifozëve shqiptarë në arenën berlineze. Presioni i Seferit erdhi duke u shtuar në raundin e pestë kur lodhja te kundërshtari amerikano jugor ishte evidente dhe boksieri nga Gostivari për pak sa nuk arri ta hidhte “knock out”.

Presioni i Seferit erdhi në rritje duke guxuar gjithmonë më tepër, deri në raundin e tetë kur venezuelasi i vetëdijshëm për inferioritetin deri në atë moment u përpoq të përmbyste gjithçka duke u bërë më agresiv, një situatë që zgjati pak sekonda me Perdomon që ishte carë në nofullën e majtë.

Në sekondat e fundit Seferi tendosi dhe një sulm të fundit ndërsa gongu final erdhi bashkë me brohoritjet e shqiptarëve për Nuri Seferin që mori pa asnjë hezitim dhe vendimin unanim për fitoren nga juria, me një paraqitje vërtet të mirë që ngjall krenari në kombëtare të ngjyrave kuqezi anembanë botës.  

Lajme të ngjashme

Back to top button