Maqedonia në heshtje

Nga sonte hyri në fuqi heshtja zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 13 prillit në Maqedoni.

Katër kandidatë garojnë për postin e presidentit. Ndërkohë, fituesi i zgjedhjeve pritet nga balotazhi i 27 prillit, kur mbahen edhe zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.

Fushata po kalon me një gjuhë mjaft të ashpër dhe ofendime nga kundërshtarët politikë dhe sipas ekspertëve pa oferta të mirëfillta politike.

Heshtja zgjedhore do zgjasë deri të dielën në mbrëmje, kur do të mbyllen kutitë e votimit. Për herë të parë në Maqedoni, në mes të fushatës tjetër parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të ketë heshtje zgjedhore. 

Heshtja do ta ndërpresë fushatën për zgjedhje parlamentare, kryetari i KSHZ-së, Nikola Rilkovski është kategorik sa i përket heshtjes parazgjedhore dhe thotë se kjo do të vlejë për të gjitha partitë politike, pa dallim se a kanë apo nuk kanë kandidat në zgjedhjet presidenciale.

Sipas rregullave të Ligjit Zgjedhor në kontekst të heshtjes zgjedhore, nga hyrja e saj në fuqi, sonte e deri në mbylljen e kutive zgjedhore, janë të ndaluara të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediale të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas ligjit, gjatë heshtjes zgjedhore, mediat nuk guxojnë të shpallin informata, fotografi, audio dhe video materiale lidhur me pjesëmarrësit në zgjedhje. Shkelje e heshtjes zgjedhore konsiderohet edhe lajmërimi i hapur apo i fshehur për ndonjë fushatë zgjedhore. 

Të drejtë vote, sipas Listës Zgjedhore kanë 1 milion e 779 mijë e 572 votues. Numri i përgjithshëm i votuesve të cilët gjenden për punë dhe qëndrim të përkohshëm jashtë vendit është 70.305,  ndërsa prej tyre të drejtë vote kanë 8.332, të cilët janë paraqitur për votim. Të mërkurën në KSHZ votuan edhe 294 anëtarë të këshillave zgjedhore të cilët do t’i zbatojnë zgjedhjet në diasporë.

Sot do të votojnë edhe 1.706 të burgosur, 39 persona të zhvendosur brenda vendit, si dhe personat e sëmurë dhe të pamundur.

Votimi të dielën do të fillojë në orën 7 dhe do të përfundojë në orën 19, do të zbatohet në 3.480 vendvotime në Maqedoni dhe 34 në diasporë. Këtë vit numri i vendvotimeve në vend është rritur për 504 duke marrë parasysh ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas të cilit në një vendvotim nuk mund të ketë më shumë se 1.000 votues. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button