Ahmeti: Askush nuk mund ta frikësojë, mali nuk shembet nga breshëri

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti së bashku me kryesuesin e Njësisë 5, Musa Xhaferrin shpalosën platformën zgjedhore në Strugë, në një tubim para qytetarëve.

Ahmeti porositi se askush nuk mund ta frikësojë BDI-në, përkundër sulmeve që i drejtohen.

“Nga këtu ju them të gjithë atyre që i janë vërsulur kundër BDI-së se nuk na frikësojnë, sepse malet nuk shemben nga breshri. Por ne kërkojmë urtësi, ne kërkojmë afrim dhe pajtim sepse ky është edhe një vit shumë i dhimbshëm me rastin e 100 vjetorit të Luftërave Ballkanike. Luftërat Ballkanike kanë qenë të kobshme dhe të dhimbshme dhe ne akoma plagët i kemi të hapura, akoma gjakun e kemi të freskët dhe nuk duam t’i përsëritet as Ballkanit e as vendit tonë një skenar i ri. Kërkojmë të jemi pjesë e Evropës dhe ky qëllim do të arrihet, sepse ka qenë qëllim edhe i rilindësve tanë. Mos e harroni Naim Frashërin kur thotë se “dielli lind për ardhmërinë tonë në Perëndim”, tha Ahmeti.

Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, që do të zhvillohen të dielën, ai përsëriti qëndrimin se, asnjëri kandidat që është në garë nuk plotëson kriteret e BDI-së.

“Me 13 prill votohet për kryetar shteti. Ne kandidat nuk kemi sepse nuk arritëm marrëveshje për një kandidat konsensual dhe ne nuk e thërrasim popullin në bojkot, por ne as nuk e thërrasim popullin në votime, sepse nuk kemi kandidat tonin. Kandidatët të cilët janë nuk i plotësojnë standardet dhe kushtet që ka kërkuar BDI. Ne kërkojmë kandidat i cili vetë do të komunikojë, vetë do të kontaktojë edhe me shqiptarët. Ne kemi kërkuar kandidat për kryetar shteti që do t’i ofrojë dhe nuk do t’i ndajë qytetarët sepse kryetari është figurë emblematike. Ditën e diel ju vendosni vetë, por ne kemi marrë një vendim të prerë – BDI përderisa nuk ka kandidat të vetin ditën e diel do të jetë në piknik, kurse të gjithë ata zyrtarë që duan të kontrollojnë procesin, sigurisht që kanë udhëzimet nga shefat e shtabeve se si të veprojnë për procesin”, u shpreh Ahmeti.

Ai tha gjithashtu se, mandati në vijim është përplot me vështirësi e përballje, porse ne “nuk jemi rritur në pambuk, jemi rritur me maja e shpata dhe nuk u trembemi ballafaqimeve”.

Lajme të ngjashme

Back to top button