Telallët

E di një aktor të pasuksesshëm i cili dikur ka qenë telall i imtë i LSDM-së. Kur kjo parti shkoi në opozitë telalli i vockël u përpoq që përmes dritares së politikës ballkanike të futet në radhët e telallëve të imët të VMRO-së  që ta fitojë statusin e telallit me shpërblime të kësaj partie. Dhe, ia doli. U bë telall, por aktor nuk u bë, anise gjithkund prezantohet sikur aktor të kishte qenë.

E di edhe një aktor tjetër i cili kurrë nuk mundi të realizohet si aktor, por, gjithmonë, derisa sa doli në pension ka ditur t’i vardiset pushtetit dhe të nxjerrë honorare të cilat është dashur t’i marrin aktorët e talentuar. Edhe ky tash rastin e mirë për të fituar e shfrytëzoi duke u renditur ndër telallët e VMRO-së.

E di poashtu edhe njërin për të cilin thonë se paska qenë aktor i mirë, por të cilin publiku e njeh më shumë si një shëtitës televiziv i cili bredh vetëm nëpër fshatrat etnike maqedonase dhe i reciton tekstet e reportazheve me një ton socrealist që, kuptohet, janë tekste me prapavijë të politikave të vjetra antishqiptare.

Di shumë gazetarë, shkrimtarë dhe të ashtuquajtur akademikë dhe aventurierë të ndryshëm, të cilët nuk dalin dot nga lëvozhga e tyre provinciale dhe të cilët nuk kanë mundur të ngjiten shkallëve të vështira e të mundimshme të profesionit, dijes dhe të arteve, por që “ngjitjen” e tyre gjithmonë e kanë kërkuar “te shkallët” e zhurmës populliste ku zakonisht kërkohet përjashtimi i shqiptarëve nga ecuritë e vendit në “shtetin” e tyre imagjinar “të përbashkët” – pa shqiptarë.

Kuptohet se këtyre tartakallëve s’u bëhet vonë për vend e për shtet, por i mbrojnë pozitat e tyre që u sjellin shpërblime. I tërë ky soj “ecën më tutje”. I mobilizon edhe fëmijët nëpër shkolla të mesme të dalin në rrugë dhe “ta mbrojnë shtetin e përbashkët kundër gjuhës shqipe”, pra kundër gjuhës që e flasin bashkëqytetarët e tyre që do të thotë i përziejnë edhe fëmijët në punët e tyre të papastra politike.

Në jerminë e tyre populliste ata nuk e shohin dhe shpërblyesit e tyre tashmë i kanë gati sallonet e tyre të noterëve, të përmbaruesve dhe të biznesmenëve “të suksesshëm” dhe të “skutave” të tjera  luksoze ku do të strehohen në anonimitet dhe do të kënaqen e do të shkrihen me “frytet” e politikave të tyre antishqiptare dhe të këmbënguljes së tyre që me çdo kusht ta mbrojnë pushtetin.

Ndërkohë kujtesa do t’i ruajë të zitë e ullirit dhe telashet e mëdha të natyrës ekzistenciale të njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm të këtij vendi, të cilët se ky vend nuk lidhet kurrsesi as me antikën, as me Biblën dhe se nuk e ka as Emil Zolën e vet e as inteligjencinë franceze që t’i mbrojë të drejtat e një pjesë të popullsisë, më shkurt – të shqiptarëve, të drejta këto që shkelen pa skrupulla.

Ky soj popullistësh mundohen që të nxirren nga problemet e veta duke kërkuar zgjidhje në nxitjen e mosmarrëveshjeve etnike dhe nëpër qorrsokakët lindorë, nga të cilët s’ka dalje. Në këto shtigje të absurdit u prin presidenti i vendit, i cili është borizani kryesor dhe i cili erdhi në këtë post pa votën e shqiptarëve.

Natyrisht të gjithë këta  belaxhinj i kanë siguruar familjet e tyre. Barrën dhe pasojat e këtyre politikave do t’ua lënë njerëzve  të pafajshëm, kurse vetë do t’ia mbathin.

Prandaj syri pët s’u bën se vendi po katandiset prej dite në ditë dhe tash është në zgrip të humnerës. Mendojnë të gjorët se e kanë presidentin që u prin. Po nuk e dinë se ky president ka dalë nga tregimet e Radoje Domanoviqit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button