Çfarë thonë liderët partiak për marrëdhëniet ndëretnike

Nxitja e nacionalizmit në Maqedoni vazhdon të konsiderohet nga parti të caktuara si një ndër mjetet më efikase në mbledhjen e votave gjatë zgjedhjeve. Ka edhe të tillë që konsiderojnë se kjo “lojë” mund të jetë e rrezikshme dhe se e pengon përparimin e vendit. Në vazhdim ju sjellim qendrimet e disa liderëve partiak, të shprehura nëpër tubime apo intervista, gjatë fushatës. 

Lideri i partisë VMRO-DPMNE dhe kryeministër aktual, Nikolla Gruevski,  në emisionin e fundit në televizionin Sitel 3 “Jadi Burek” e përsëriti edhe një herë se dëshiron 62 mandate deputetësh, që të mos kushtëzohet nga BDI-ja. Shumica këtë e kupton si dëshirë për të krijuar qeveri pa shqiptarë.

Nga ana tjetër lideri i VMRO – Partia Popullore, Lupço Georgievski, në takimin me qytetarët e Gostivarit dhe Tetovës tha se liderët e tjerë partiakë u drejtohen vetëm  grupeve të etnitetieve të tyre. “Ne duam të theksojmë në mënyrë të qartë, sidomos VMRO-DPMNE-së, se në Maqedoni nuk ka vend për tensione ndëretnike dhe duhet të përballet me realitetin. Nga Gjorçe Petrovi deri në Qafëthanë, mezi 25 për qind të qytetarëve janë maqedonas dhe nëse kanë dëshirë të bëhen patriotë në Kisella Vodë, Qendër apo në Aerodrom, duhet të dinë për pakicën që jeton në Maqedoninë perendimore.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, në një tubim në Kondovë ka deklaruar se Maqedonia nuk është vetëm shtet “pravosllav”, siç u shpreh ai, apo maqedonas, por edhe i shqiptarëve dhe myslimanëve.“Ne jemi të akuzuar se nuk kemi ide as platformë, por ideja jonë është e qartë – pa i sjellë maqedonasit në pozitë të keqe, pa u gjunjëzuar, nuk bisedojmë për të drejtat tonë”. Ai gjithashtu akuzoi partinë në pushtet se ka punësuar pesë mijë maqedonas,e nga ana tjetër tre mijë shqiptarë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka vizituar disa qytete dhe fshatra, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, siç janë Haraçina dhe Orlanca . Zaevi ka thënë se “duke qenë unik, ne do të bëhemi qytetarë të një shteti modern dhe të përparuar. Në këtë vend  ka bashkëjetesë, por nuk ka jetë. Ne na mundojnë problemet ekonomike, nga të cilat varen të gjitha familjet në Maqedoni”, ka deklaruar Zaevi, para banorëve të Haraçinës dhe Orlancës”.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vendosi t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale, i pakënaqur nga refuzimi i kërkesës së tij për zgjedhjen e presidentit me konsenzus mes partive shqitare dhe maqedonase. Ai kërkon që në Maqedoni kryetari i parlamentit apo kryeministri të jetë shqiptar.  Ahmeti ka deklaruar se asnjë maqedonas nuk duhet të frikësohet nëse shqiptari bëhet president i shtetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button