Kryetari Bejta priti ambasadoren gjermane Steinacker

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në takim ambasadoren e Gjermanisë në vendin tonë, Gudrun Steinacker. 

Në takim u bisedua për realizimin e “Programit të diplomës gjermane” në shkollën e mesme komunale “Gostivar”, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen. 

“Jam e mahnitur me punën që bëjnë profesorët dhe nxënësit në gjimnazin tuaj. Gjimnazi i Gostivarit hy në grupin e shkollave ku realizohet “Programi i diplomës gjermane” dhe kjo shkollë është një nga gjimnazet elitare në vend”, tha ambasadorja Steinacker, duke falënderuar komunën e Gostivarit për mbështetjen për realizimin e projektit. Ajo tha se programi i lartpërmendur gjen zbatim konkret dhe se tashmë janë dhënë edhe provimet e para nga nxënësit. 

“Marrëdhëniet me Gjermaninë janë shumë të mira dhe qytetarët tanë kanë dashuri dhe respekt të madhe për popullin gjerman. Fëmijët e Gostivarit kanë interes të madh për ta mësuar gjuhen gjermane për shkak të lidhjeve me Gjermaninë që i kanë prindërit e tyre të cilët kanë punuar dhe punojnë në shtetin gjerman”, tha kryetari Bejta duke e njoftuar ambasadoren Steinacker se gjuha gjermane mësohet në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gostivarit. 

Për në të ardhmen u lanë të hapura mundësitë për të bashkëpunuar edhe në sfera tjera në projekte të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button