fbpx

Ancelotti: Bayern favorit, por ne jemi Reali

Edhe pse u shfaq në konferencën e zakonshme për shtyp për të folur për ndeshjen radhës ndaj Almerias në kampionat, vëmendja e Carlo e Ancelottit ishte e gjitha te shorti i gjysmëfinaleve të Champions League që e vendosi Realin e tij përballë kampionëve në fuqi të Bayern Munich.

“Shorti është i mirë për vetë faktin se jemi akoma në kompeticion. Do të kemi përballë një ekip shumë të ndërlikuar megjithatë shpresoj shumë se mund të bëjmë mirë ndaj tyre. Jemi në lojë në të tre kompeticionet ku marrim pjesë dhe iluzioni jonë për të fituar kudo është i madh. Bayerni është një skuadër me kualitete të shumta individuale por mbi të gjitha është një ekip që bazohet te forca e grupit. Mendoj se do të jenë dy ndeshje shumë të bukura dhe nuk besoj se do ndikojë shumë fakti që ndeshjen e dytë do të luajmë jashtë fushës tonë”.

Ajo që po shqetëson Realin e Madridit në këto momente është padyshim dëmtimi i Cristiano Ronaldos. Gjithsesi Ancelotti qetësoi disi tifozët e Los Blancos përsa i përket gjëndjes së portugezit teksa theksoi se fituesi i “Topit të Artë” mund të jetë i gatshëm për finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës, transmeton Supersport.

“Ronaldo përballë Almerias nuk do të jetë. Megjithatë unë kam besim se ai do të zbresë në fushë ndaj Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit. Gjithsesi nëse nuk do të rikuperohet plotësisht ne nuk do të marrim asnjë rrezik përsipër”.

Në fund trajneri italian u përqëndrua edhe njëherë tjetër te sfida e humbur me Dortmundin.

“Dëgjova që Klopp do të merrte në shtëpi një Dvd të ndeshjes kështu që unë mendoj se sfida jonë e parë ishte si një film për çmimin Oscar. Kemi marrë shumë kritika. Mund të ndodh që ne të fitojmë tre tituj këtë sezon ose të mund të mos fitojmë asgjë por për të parën herë pas shumë vitesh kjo skuadër është duke luftuar në tre kompeticione dhe kjo gjë nuk është pak”.

Lajme të ngjashme

Back to top button