Konsulli i nderit të Maqedonisë në Barcelonë, arrestohet për vrasjen e dy fëmijëve të tij binjakë

Konsulli i nderit të Republikës së Maqedonisë në Barcelonë të Spanjës, Mario Deus, është arrestuar në Afrikën Jugore, pasi që është i dyshuar për vrasjen e dy fëmijëve të tij, binjakë trevjeçarë, njoftojnë mediat spanjolle, transmeton Portalb.mk.

Ashtu siç shkruan “Faktor”, policia e Afrikës Jugore ka informuar se nëna e fëmijëve e cila ka qenë shtetase suedeze, i ka gjetur trupat në rezidencën verore të Mario Deus në afërsi të Kejp Taun, kumtoi zëdhënësi i policisë Andre Traut.

Kur nëna ka arritur në vilën familjare, i dyshuari për vrasje ka ikur me veturën e tij, por më vonë është arrestuar në Kejp Taun.

“Rrethanat për vrasjen dhe arsyet për vdekjen e binjakëve trevjeçarë ende po i inspektojmë”, deklaroi zëdhënësi policor.

Mediat thonë se Deus është i akuzuar për vrasje dhe vjedhje të veturës dhe së shpejti do të paraqitet në Gjykatë.

Konsull nderi është shtetas i një vendi që caktohet nga një shtet tjetër, në këtë rast nga Maqedoni që të kryejë për të disa funksione konsullore si detyrë nderi e pa shpërblim.

Konsullët e nderit zakonisht janë biznesmenë të suksesshëm. Ata e përfaqësojnë vendin, në këtë rast Maqedoninë, atje ku ajo ka përfaqësim të vogël ose ndikim, por ka kontakte të mira me autoritetet dhe biznesmenët e vendit që e kryejnë funksionin.

Këtë informatë mediat spanjolle e kanë publikuar gjatë vikendit, por tani për tani nuk ka kurrfarë kumtese nga Ministria e Punëve të jashtme. Në internet faqen e MPJ-së, për Mario Sezar Deus shkruan se është konsull nderi i Maqedonisë në Barcelonë dhe është emëruar më 6 dhjetor të vitit 2012.

Deus është stomatolog i njohur në Barcelonë, ndërkaq emri i tij figuron edhe si drejtor i një ndërmarrjes private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button