BDI bën thirrjen e fundit para votimit, “JO Presidentit të njëanshëm”

BDI-ja në një konferencë për shtyp, ka bërë thirrje qytetarëve që më 13 prill, të mos dalin në votime, duke konfirmuar qëndrimin e sajë për ti thënë “JO Presidentit të njëanshëm”.

BDI vlerëson se në këto zgjedhje, shqiptarëve u imponohet presidenti. Anëtari i kryesisë qendrore, Gëzim Ostreni, ka shtruar arsyet se pse BDI do t’i thotë “jo presidentit të njëanshëm”?

“24 vjet me radhë, ne shqiptarët jemi përfshirë në procesin e demokratizimit të vendit, me pjesëmarrje aktive në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Maqedonisë, por, asnjëherë nuk arritëm të marrim një nga tre funksionet e para të shtetit”, tha Gëzim Ostreni.

Sipas tij, nëse kuptimi i demokracisë është sundimi i popullit, shtrohet pyetja: “Kur do të na vijë radha ne shqiptarëve që të udhëheqim një prej tre institucionet e para  të shtetit tonë të përbashkët”?  

“Me qëllim që të ndryshojmë këtë realitet, ne Bashkimi Demokratik për Integrim konsiderojmë se  sistemi në demokraci duhet tu krijojë dhe ofrojë mundësin të gjithëve, edhe shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve që të ndjehen të barabartë”, tha Gëzim Ostreni. 

Prandaj, sipas tij, BDI ofron modelin për sundim të të gjithë popujve në shtetin tonë të përbashkët multietnik të bazuar në kushtetutën e ndryshuar me  marrëveshjen historike të Ohrit.

Këtë ide jo pa qëllim e emërtuam si “president konsenzual”, thotë Ostreni .

Prandaj më 13 Prill, të dielën, ai fton shqiptarët që t’i thonë “JO Presidentit të njëanshëm”, dhe të katër kandidatëve të cilët nuk e përfillin kërkesën shqiptare për  president me konsenzus etnik.

BDI mbetet në qëndrimin se presidenti konsenzual nuk është as koncepti etnocentrik i kandidatit Ivanov as koncepti i shtetit qytetarë të kandidatit Pendarovski, as Koncepti i mashtrimit që e promovon Iljaz Halimi, por, është një president që del nga marrëveshja në mes popullit shqiptarë dhe popullit maqedonas. 

“Ne  do të vazhdojmë betejën politike për barazi deri sa nuk do të ketë institucion apo edhe funksion që do të jetë i pakapshëm për shqiptarët. Që të fitohet kjo betejë nesër, ne shqiptarët të dielën duhet ti themi, “Jo presidentit të njëanshëm” duke mos dalë në zgjedhje për kryetar shteti”, thotë Gëzim Ostreni. 

Lajme të ngjashme

Back to top button