Saraçini: Biznesmenë turq të interesuar për zonë industriale në Likovë

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Odës ekonomike të Stambollit, të udhëhequr nga kryetari Murat Jallçëntash, dhe me kryetarin e Këshillit për bashkëpunim të jashtëm ekonomik të Republikës së Turqisë, Hasan Hoshben.

Qëllimi kryesor i takimit ishte për të diskutuar mundësinë e hapjes së një zone të re ekonomike për kompanitë turke mes komunës së Likovës, Kumanovës dhe Haraçinës, që do të bëhej qendër për eksportin e produkteve turke në tregun evropian.

Afërsia me kufirin me Bullgarinë, infrastruktura hekurudhore, e cila është në ndërtim e sipër, afërsia me autostradën dhe Aeroportin e Shkupit, janë vetëm disa nga përfitime që ka ky lokacion, tha Ministri Saraçini.

Oda ekonomike e Stambollit, e cila është më e madhja në Turqi, me 400 mijë anëtarë është shumë e interesuar për të investuar në Maqedoni, tha Murat Jalçëntash, duke informuar se mes kompanive turke është rritur interesi për Maqedoninë. Ëndrra jonë, shtoi ai, është që nga zona në Likovë në të cilën ne synojmë të ndërtojmë 20-25 fabrika, të eksportojmë prodhimet tona në Evropë, dhe për ne Maqedonia është vendi më i favorshëm.

“Ne e shohim Maqedoninë si një shtet që është tërheqës për investime, mes biznesmenëve turq shumë flitet për ju, ndërsa qasja ndaj investitorëve, sidomos ndaj atyre nga Turqia është shumë e mirë, dhe qëllimi ynë është që të lidhim kompanitë nga dy vendet, të  thellojmë bashkëpunimin dhe së bashku të marrim pjesë në vende të treta, tha Jalçëntash.

Lajme të ngjashme

Back to top button